Mustafë Tahir Shabanaj (10.5.1960 - 8.5.1999)

Mustafë Tahir Shabanaj (10.5.1960 – 8.5.1999)

Vetëm dy ditë para se t’i rrumbullakësonte 39 vite të jetës tokësore, dëshmori Mustafë Shabani filloi jetën e amshueshme, për të mos u harruar kurrë emri i tij, e për të mos u venitur kurrë kujtimi për të. Simbole të këtij amshimi janë edhe arma e heshtur e lirisë dhe ora e ndaluar e dorës, të cilat sot ruhen në shenjë të kujtimit të tij.
Mustafë Shabanaj ka lindur në fshatin Trefis (ish Terstenik) të komunës së Pejës, më 10 maj të vitit 1960. Në vendlindje kreu shkollën fillore, kurse atë të mesme, në Pejë. Meqenëse ishte i dhënë pas aktiviteteve sportive, në Prishtinë regjistroi Fakultetin e Kulturës Fizike. Gjatë kohës së studimeve njohu dhe u shoqërua me një rreth të gjerë shokësh, me të cilët, shpesh shkëmben biseda lidhur me fatin e Kosovës e të popullit të shtypur shqiptar. Vitet e stuhishme të 80-ta të shekullit të kaluar, e poqën dhe e kalitën kombëtarisht edhe të riun Mustafë Shabanaj, duke e përgatitur ushtar të ardhshëm të lirisë, për t’i ngjeshur radhët e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës.
Disa vite para luftës çlirimtare në Kosovë, Mustafa punoi mësimdhënës i edukatës fizike në shkollën fillore të fshatit Trefis. Si edukator i brezit të ri ai gëzonte autoritet te nxënësit, te shokët e punës, por edhe te prindërit e nxënësve e te mbarë fshatarët. Siç e kishte edhe në natyrën e vet njerëzore, me të gjithë sillej në mënyrë të qetë e të njerëzishme. Dëgjonte me vëmendje bashkëbiseduesin dhe shprehte gjykimin e tij personal. Duke qenë kultivues i raporteve të drejta e të afërta me njerëzit, rreth vetes afron numër të madh të rinjsh, me të cilët, jo vetëm luan futboll e bën atletikë, por edhe shqyrton hallet e përditshme të popullit shqiptar nën shtypjen e pushtuesit serb. Në mesin e këtyre të rinjve, me disa prej të cilëve edhe do të bie në fushën e nderit ishin: Ragip Morina (dëshmor), Xhelal Morina (dëshmor), Malë Morina, Naim Morina, Bujar Neziraj (dëshmor), që të gjithë nga Trefisi, djali i axhës, Faiku, djali i vëllait, Izeti e të tjerë.
Zhvillimi i betejave të UÇK-së kundër pushtuesit serb në Duagjin, në pranverë të vitit 1998, nuk i lë anash as ndjenjat dhe as ndërgjegjen e dëshmorit Mustafë Shabani. Prandaj, i vetëdijshëm se çdonjëri ka pjesën e vet të obligimit ndaj atdheut e lirisë, vëhet në shërbim të luftës çlirimtare e të UÇK-së: organizohet me shokë, bën roje në fshat dhe angazhohet rreth përgatitjes së terrenit për shtrirjen e njësiteve të UÇK-së në fshatrat e trevës së Lugut të Drinit. Në këtë aktivitet ka edhe përkrahjen e Bujar Nezirajt, Ragip Morinës, Xhelal Morinës, Muharrem Morinës, Malë Morinës, Izet Shabanit, Faik Shabanit e të rinjve të tjerë, me të cilët do të formojë edhe njësitet lokale të UÇK-së. Së bashku me këta bashkëveprimtarë, mban lidhje të rregullta me strukturat komanduese të UÇK-së të zonës së Dukagjinit dhe pas formimit të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, në fillim të vitit 1999, ngarkohet me detyra të caktuara ushtarake për t’i kryer në kuadrin e kësaj brigade.
Në fazën e luftës, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, militarët serbë ndërmorën sulme të ashpra me qëllim të shpopullimit të fshatrave shqiptare edhe në trevën e Lugut të Drinit. Popullata e këtyre fshatrave u detyrua të dalë nga shtëpitë e të strehohet lugjeve e vendeve të tjera të fshehta të kësaj pjese të Rrafshit të Dukagjinit. Masë e madhe, mijëra veta, pleq, gra, fëmijë, strehohen edhe në afërsi të fshatit Staradran të komunës së Burimit. Aty jetojnë pa bukë të mjaftueshëm, pa shtrojë e mbulojë të nevojshme, pa çati mbi kokë e nën kërcënim të përhershëm të rrezikut nga militarët vrasës serbë. Ky rrezik për ta arrin më 7 maj të vitit 1999. Forcat e pushtuesit e rrethojnë nga të gjitha anët këtë masë të madhe të popullatës dhe arrijnë të depërtojnë te ajo. Ato i ndajnë meshkujt, shumë prej të cilëve të moshuar, nga gratë e fëmijët. Shumë prej këtyre burrave ekzekutohen, kurse të tjerët arrestohen. Ndërsa, masa tjetër e popullatës urdhërohet nën kërcënimin e armëve të marrë rrugën e shpërnguljes në drejtim të Shqipërisë. Në këto rrethana, Mustafa me shokë bën të gjitha përpjekjet për t’i dalur në mbrojtje popullatës së pafuqishme. Ai organizon pritë dhe ndërmerr një varg sulmesh kundër forcave serbe, për të tërhequr vëmendjen e tyre, në mënyrë që të lehtësohej pozita e popullatës së mbërthyer në kolonë të hekurt. Të nesërmen, në mbrëmjen e 8 majit, derisa po kalonte me bashkëluftëtarët në një anë tjetër të terrenit, ndesh në forcat serbe te vendi i quajtur Ura e Çetajve në fshatin Trubuhovc. Në atë rast zhvillohet një betejë e rreptë dhe e pabarabartë ndërmjet çlirimtarëve të UÇK-së dhe militarëve serbë. Në luftim e sipër, në altarin e lirisë bien Bujar Neziraj, Ragip Morina, Xhelal Morina (të tre nga Trefisi) dhe një bashkëluftëtar tjetër i tyre, ndërsa plagoset rëndë Mustafa. Me gjithë plagët e marra, ai nuk jepet, por arrin të çajë rrethimin, duke iu kundërvënë zjarrit me zjarr. Me lënien e fuqisë, që të mos bie në ruart e armikut, arrin të strehohet nën rrënjët e një shelgu buzë Drinit. Atë vend e zgjedh si më të sigurtin për t’i pushuar e qetë zemra atdhedashëse. Pak më tutje e kishte lëshuar edhe automatikun me municion të harxhuar.
Trupi i dëshmorit Mustafë Shabanaj është gjetur në vendin e rënies, disa javë pas përfundimit të luftës. Jo larg këtij vendi është gjetur edhe automatiku i tij. Ndërkohë ende nuk ishin gjetur trupat e dëshmorëve të tjerë të rënë më atë 8 maj te Ura e Çetajve. Ata u gjetën më vonë, po në verën e vitit 1999, në varrezat e qytetit të Pejës. Në këto varreza ishin varrosur nga forcat serbe.
Rënia e dëshmorit Mustafë Shabanaj ishte një akt heroizmi e krenarie për shokët bashkëluftëtarë; për nxënësit dhe kolegët e punës; për nënën, Timën, e cila përveç Mustafës kishte rritur edhe Muhametin, Rexhepin, Shabanin dhe Shefqetin; për bashkëshorten, Afërditën, e sidomos për pesë fëmijët e tij: Diamantin, Syzanën, Florentinën, Fatbardhën dhe Flutrën. Heroizmin e tij e ka çmuar dhe nderuar me fletë nderimi Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes. Nderim të tillë familjes së dëshmorit i ka akorduar edhe kuvendi i komunës së Pejës. Emri i dëshmorit Mustafë Shabani, në vargun e emrave të shumë dëshmorëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot këndohet në këngë e recitohet në vjershë. Trupi i tij pushon në varrezat e fshatit Trefis (ish-Terstenik) përkrah 10 dëshmorëve të tjerë të këtij fshati. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …