MIT
Airport Adem Jashari
kek
valamobile
mbpzhr grante
Fillimi / Dëshmorët / Menderes Osman Dërvishaj (4.3.1973 – 8.5.1999)
Menders Osman Dërvishaj (4.3.1973-8.5.1999)

Menderes Osman Dërvishaj (4.3.1973 – 8.5.1999)

Në luftën e fundit çlirimtare, nuk ishte i vogël numri i familjeve e i prindërve shqiptarë, të cilët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia dhanë nga dy, tre e më shumë ushtarë lirie, sikurse që edhe Kosovës ia falën nga dy, tre e më tepër dëshmorë të kombit. Prindërit, Osman e Naxhie Dërvishaj, nga fshati Zabllaç i komunës së Burimit, për lirinë e Kosovës flijuan tre nga pesë djemtë e tyre: Mentorin, Menhendin dhe Menderesin. Ky shembull flijimi është dëshmi e qartë, që tregon se liria kombëtare kundërpeshon çfarëdo dhembjeje apo vuajtjeje tjetër.
Menderes Dërvishaj, ka lindur më 4 mars të vitit 1973. Shkollën fillore e kreu në fshatin e afërm, Zallç. Meqenëse, tashmë në vitet 90, shqiptarët ishin privuar nga e drejta qytetare e kombëtare për shkollim, edhe në rrethana të tilla të pushtimit serb, ai vijoi shkollimin e mesëm në Gurrakoc, mirëpo, pas një kohe e ndërpreu atë dhe emigroi në shtetet perëndimore. Dy vjet qëndroi në Zvicër, kurse 6 vjetët e fundit në Gjermani. Me punën e bërë në këtë perëndim, Menderesi e ndihmoi familjen e tij t’i përballojë nevojat ekonomike e të sfidojë kushtet e robërisë serbe.
Me të filluar lufta në Kosovë, Menderesi ende ndodhej duke punuar në Gjermani. Përveç familjen, me paratë e djersës së vet, tash ai po ndihmonte edhe fondin financiar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Vendlinja thërret”.
Ndërkohë, në pranverë të vitit 1998, Menderesi njoftohet për inkuadrimin e dy vëllezërve të tij në UÇK. Mentori kishte shkuar në zonën ushtarake të Drenicës, kurse Menhendi në atë të Dukagjinit. Prandaj, i vetëdijshëm për nevojën e armatimit, ai kishte marrë përsipër t’u ndihmonte vëllezërve ushtarë edhe për blerjen e armatimit të nevojshëm. Mirëpo, as ky kontribut dhënë luftës, nuk e kënaqte Menderesin. Ai do të ndihej i kënaqur vetëm po të kthehej në Kosovë e të merrte pjesë edhe vetë në luftë. Prandaj, në prill të vitit 1998, vendos përfundimisht të kthehet në Kosovë e t’u bashkohet radhëve të UÇK-së. Kthimin e Menderesit e kishte paralajmëruar vëllai i tij më i madh, Menda, i cili, po ashtu ndodhej në Gjermani. Ato ditë, Menda e kishte njoftuar të atin, Osmanin, nëpërmjet telefonit, se Menderesi kishte vendosur ta braktiste mërgimin e të kthehej në shtëpi, pasi nuk po i rrihej edhe më tej në Gjermani. Pa kaluar shumë kohë pas kësaj bisede, një mëngjes, Buni, siç quhej me përkdhelje Menderesi, ia behu në vatrën e tij të kërcënuar, në Zabllaç. Pa dyshim, tash që po thithte ajrin e Kosovës, ndonëse po i vinte era barut, ai po merrte frymë me tjetër ritëm, me ritmin e atdheut të tij që po kërkonte liri.
Me kthimin nga mërgimi, vëllezërve të tij ushtarë, Mentorit e Menhendit, iu shtua një krah i fortë, pasi Menderesi do të kryente detyra të shumta të prapavijës, duke përfshirë mbajtjen e kontakteve me ta dhe përcjelljen e informacioneve të ndryshme deri te zonat e tyre të luftës. Fillimisht, ai u inkuadrua në logjistikën e UÇK-së, në kuadrin e së cilës ndihmoi pa kursim furnizimin e saj me mjete dhe gjëra të nevojshme. Duke qenë i angazhuar në këtë sektor ushtarak, herë pas herë qëndroi në shtabet lokale dhe në Shtabin Operativ të Zonës së Dukagjinit.
Rënien e të vëllait, Mentorit, në vijën e frontit, më 29 qershor të vitit 1998, Menderesi e përjetoi si një grusht të rëndë, por edhe si mobilizim për ta luftuar armikun edhe më me forcë. Prandaj, angazhimin e tij në çështjet e prapavijës ushtarake, e vazhdoi derisa u formua brigada 133 “Adrian Krasniqi” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo brigadë, operimin e vet e shtriu kryesisht në fshatrat e territorit të komunës së Burimit, duke përfshirë edhe fshtrat e Lugut të Drinit, siç janë Ruhoti, Trefisi (ish-Tërsteniku), Staradrani, Trubuhovci e të tjera. Që nga shtrirja e pranisë së njësiteve të UÇK-së në këto fshatra, në janar të vitit 1999, Menderesi veproi në kuadrin e Batalionit të Parë të Brigadës 133. Gjatë kësaj kohe, njësiti i tij ushtarak, i udhëhequr nga eprori Muharrem Morina, dëshmor, ndërmori aksione të shumta kundër forcave serbe, duke sulmuar vendpozicionet e tyre e duke organizuar prita të befasishme. Në këto aksione, Menderesi ishte shquar me trimëri e vendosmëri të rrallë.
I tërbuar nga sulmet e NATO-s, në fund të muajit mars të vitit 1999, pushtuesi serb ndërmori fushatë hakmarrëse mbi popullatën civile edhe në fshatrat e trevës së Lugut të Drinit. E ndodhur para një fushate të tillë, kjo popullatë u detyrua të dalë nga shtëpitë e të strehohet në zonat e mbrojtura nga UÇK-ja. Vendstrehime të tilla ishin bërë edhe fshatrat Staradran, Trubuhovc e Trefis të komunës së Burimit, ku, në muajt prill e maj të vitit 1999, ishte vendosur popullata e vendeve përreth, prej dhjetëra mijëra vetash. Në këto rrethana, UÇK-ja kishte një përgjegjësi të madhe edhe ndaj sigurisë së kësaj popullate të rrezikuar, rreth së cilës ishte angazhuar edhe Menderesi me bashkëluftëtarë. Më 8 maj të atij viti, armiku, duke përdorur të gjitha llojet e armëve kishte arritur të depërtojë te masa e kësaj popullate, pasi UÇK-ja nuk arsyetonte të hapte zjarr kundër pozicioneve serbe, duke vënë nën kërcënimin fatal të kriminelëve, tërë masën e popullatë së strehuar në atë zonë. Kjo popullatë, në mëngjesin e asaj dite u detyrua të marrë rrugën e shpërnguljes përtej kufirit të Kosovës, në drejtim të thellësisë së Shqipërisë. Pas shpërnguljes së kësaj popullate, u krijuan rrethana të reja edhe për njësitet e UÇK-së, që kishin vepruar në këtë trevë. Njësiti ku bënte pjesë edhe Menderesi, në mbrëmjen e 8 marsit ishte nisur për të shkuar në Shqiponjë (ish-Jabllanicë e Gjakovës), ku vepronin pjesëtarët e brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”. Mirëpo, terri i natës i ishte bërë aleat armikut, i cili kishte ngritur pusi me autoblinda e me armatim modern, te Ura e Çetajve mbi lumin Dri, në fshatin Trubuhovc. Pusia ishte vënë në mesin e dy rrugëve që çonin te ura mbi këtë lumë. Me të arritur në afërsi të urës, armiku kishte shtënë me rafale mitralozi në drejtim të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në ato çaste, sulmit i kundërpërgjigjen edhe çlirimtarët, të cilët rezistojnë deri në çastet dhe në fishekët e fundit, por kushtet e betejës ishin shumë të pabarabarta, me ç’rast në fushën e nderit ranë 16 dëshmorë të kombit. Përveç dëshmorit Menderes Dërvishaj, përkrah tij ranë edhe djemtë sypatrembur të Trefisit, Muharrem Morina, Ragip Morina, Xhelal Morina, Mustafë Shabanaj, Bujar Neziraj, Ajet Rrahmani, Emin Berisha, Hysni Berisha, Përparim Berisha, Afrim Berisha.
Dëshmorin Menderes Dërvishaj dhe 15 dëshmorët e rënë me të, pushtuesi serb i kishte varrosur në varrezat e qytetit të Pejës. Në këto varreza, militarët serbë, pastaj e kishin varrosur edhe vëllanë e Menderesit, Menhendin, i cili kishte rënë 20 ditë më vonë. Pas përfundimit të luftës, në korrik të vitit 1999, familja e këtyre dy dëshmorëve arrin ta identifikojë vetëm trupin e Menhendit, i cili u rivarros në varrezat e fshatit të lindjes, në Zabllaç. Tashmë, preokupim i prindërve, Osmanit e Naxhisë, i vëllezërve, Mendës e Elbasanit, i motrave, Rukisë e Havës, si dhe i bashkëluftëtarëve të gjallë, i të afërmve, i shokëve e miqve, ishte gjetja e trupit të dëshmorit Menderes Dërvishaj. Ai u kërkua në varret masive të varrezave të Pejës, te vendi i rënies në Trubuhovc, e madje edhe në një pjesë të rrjedhës së Drinit, gjithkund deri përtej Klinës, mirëpo nuk u gjet asnjë gjurmë e tij. Ndërkohë, e motra, Rukia, kishte vazhduar të hulumtojë edhe në varrezat e tjera masive, kudo që hapeshin në atë kohë, si dhe kishte përsëritur hulumtimin edhe në varrezat e Pejës. Ditët po kalonin dhe nënës së dëshmorit, Naxhies, po i shtohej ankthi për trupin e të birit. Mirëpo, një natë, asaj i ishte dëftuar në gjumë zëri i Menderesit, i cili, sikur kishte thënë: unë jam këtu, në varrezat e Pejës. Me të gdhirë, ajo ua kishte rrëfyer dëftimin, të shoqit, djemve e vajzave. Kjo ngjarje kishte qenë shkas që e shtyn motrën e dëshmorit, Rukinë, të shkojë sërish te varrezat e Pejës për ta kërkuar trupin e Menderesit. Dhe, kësaj here, ëndrra e nënës së dëshmorit doli magji e vërtetë: trupi i kërkuar i të birit dëshmor, Menderesit, u gjet pikërisht aty ku kishte parathënë ëndrra. Sapo e kishte hapur njërin prej varreve, e motra e kishte njohur të vëllanë, përmes çizmeve në këmbë.
Pas identifikimit, më 8 shtator të vitit 1999, edhe trupi i dëshmorit Menderes Dërvishaj u rivarros në varrezat e fshatit Zabllaç, përkrah dy vëllezërve dëshmorë: Mentorit e Menhendit. Mbi varret e tyre është ngritur përmendore lavdie. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Adem Bajram Selmani (1967 - 16. 6.1998)

Adem Bajram Selmani (1967 – 16. 6.1998)

Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë edhe disa eprorë dhe ushtarë ...