AKS-ja, shtet kopil i Serbisë brenda Kosovës, që përfshin 1/4-tën e territorit të vendit

Marrëveshjen e fundit e nënshkruar në Bruksel, më 25 gusht 2015 nga delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, kryesuar nga krerët më të lartë të dy qeverive, pavarësisht se Prishtina zyrtare e interpreton  si fitore të saj, Serbia po bën përpjekje që sistemin e saj të së drejtës ta bëjë bazë kushtetuese dhe ligjore për Asociacionin e  komunave me shumicë serbe. Beogradit i lejohet që  në këtë mënyrë të ndërhyjë drejtpërdrejt në sistemin qeverisës të vendit tonë.  Njohësit e rrethanave, që burojnë nga këto marrëveshje, e cila ka për qëllim diskreditimin e pavarësisë dhe dëmtimin e tërësisë territoriale të vendit, thonë se Serbia po krijon një korridor territorial prej veriut në Leposaviq e deri në Dheun e Bardhë në Dardanë, (ish Kamenicë), territor ky që do të kontrollohet me të drejta ekzekutive nga Asociacioni dhe Beogradi zyrtar. Kjo marrëveshje, ashtu sikur të gjitha të këtij lloji të nënshkruara në Bruksel me presion virulent të krerëve antishqiptarë  të BE-së, bën që Kosova të neutralizohet dhe të bllokohet në çdo segment nga Beogradi përmes pakicës serbe, të cilën e kontrollon dhe e dirigjon sipas interesave të veta.


 


Pavarësisht si interpretohet ky kopil i ri i Beogradit në Kosovë, teksti i përkthyer shqip i këtij dokumenti të firmosur në Bruksel, i heq petën lakrorit dhe deklaratave hipokrite, krejtësisht të pandershme dhe të papërgjegjshme  të Isa  Mustafës e Hashim Thaçit. Pretendimet për ta mashtruar opinion, për ta gënjyer atë në pikë të dritës, duken marrëzira të llojit të vet, sepse është teksti i miratuar i Marrëveshjes që flet vet dhe nuk ka nevojë për komentin e nënshkruesve të këtij turpi, që dëmton në tërësi shtetin e Kosovës dhe interesin shqiptar në përgjithësi.


 


Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës ( AKSK) ka vendosur  tashmë bazën themelore të krijimit gradual të një shteti brenda vendit tonë, krijesë kjo të cilën në asnjë rast nuk mund ta zhbëjë Shteti i Kosovës, meqë në tekstin e nënshkruar të  Marrëveshjes shkruan:


Asociacioni-Bashkësia mund të shpërbëhet vetëm me vendim të kuvendit të tij të miratuar me shumicën e 2/3 të anëtarëve të tij. ( pika 19).


 


Dhe jo vetëm kaq. Kjo kreaturë politike-strategjike e Beogradit në Kosovë, do të ketë të drejtë të iniciojë apo të marrë pjesë në procedurat para gjykatave kompetente duke përshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, kundër çfarëdo akti apo vendimi të cilitdo institucion e që ndikon në ushtrimin e fuqive të Asociacionit-Bashkësisë në përputhje me statutin e tij. (11)


Në këtë mënyrë, AKS-ja do të bëhet pjesë bllokuese e zbatimit të Kushtetutës, sepse përmes kësaj krijese,  Beogradi ndërhyn drejtpërdrejt në sistemin qeverisës të vendit tonë dhe bllokon çdo nen të Kushtetutës, nëse nuk pajtohet AKS-ja.


AKS-ja do të ketë të drejtë të nominojë përfaqësues në organet-trupat kompetente të qeverisë qendrore duke përfshirë Këshillin konsultativ për komunitete….12)


 


AKS do t’ i ketë organet e veta në këto segmente:


 


a) Një kuvend si trup suprem, i përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse serbe të Kosovës.  Kuvendi do të ketë të drejtë të miratojë amendamentet e statutit, rregulloren e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme dhe udhëzimet administrative në pajtim me statutin dhe ndërlidhur me objektivat e tij.


 


Në këtë kuvend nuk parashihet të jetë asnjë anëtarë nga mesi i shqiptarëve, boshnjakëve apo komuniteteve të tjera që jetojnë dhe veprojnë në veri. Kështu përfitohet bindja, duke lexuar këtë formulim i cili në asnjë fjalë të vetme nuk përmend asnjë entitet tjetër përveç serbëve.


 


Të gjitha amendamentet e statutit, rregullorja e punës dhe të gjitha rregulloret e nevojshme dhe vendimet e aprovuara nga kuvendi do të jenë të aplikueshme për anëtarët e tij, përveç nëse njëri nga anëtarët formalisht merr vendim tjetër.


 


b) AKS do të ketë një president, i cili do ta përfaqësojë Bashkësinë-Asociacionin përfshirë pranë autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës. Presidenti do të ndihmohet nga zëvendëspresidenti. Presidentin dhe zëvendëspresidentin do ti zgjedh kuvendi në mesin e anëtarëve të kuvendeve komunale pjesëmarrëse dhe kryetarëve të komunave të tyre.


 


Për asnjë nga këto pika, nuk pyetet Prishtina zyrtare, as mund të ushtrojë kurrë farë ndikimi, meqë AKS-ja është krijesë autonome me të drejta ekskluzive, që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit të vitit 2013  dhe  që mbron vetëm të drejtat ekskluzive të serbëve në Kosovë. Kjo krijesë shtetërore, brenda shtetit të Kosovës pavarësisht si quhet, nuk i jep llogari asnjë institucioni të vendit.


 


c) AKS-ja formon një  këshill të përbërë nga më së shumti 30 anëtarë nga banorët e komunave pjesëmarrëse, përfshirë të gjithë kryetarët e komunave pjesëmarrëse; Këshilli është një trup këshillëdhënës i cili jep udhëzime për punën e Asociacionit/Bashkësisë.


 


Në këtë këshill do të përfshihen serbët nga të gjitha komunat e Kosovës dhe jo vetëm nga  nëntë komunat, që janë themeluar me ligjin mbi decentralizimin, me të cilin Pakoja e Ahtisarit ka krijuar bazën themelore ligjore për “kopilin” e ri të Beogradit në Kosovë. Realisht edhe dokumenti është nxjerrë në bazë të Pakos së Ahitsarit, të cilin e kishin votuar të gjithë deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, përveç një deputeti boshnjak.


 


d) AKS-ja do ta ketë një bord tç përbërë nga 7 anëtarë të votuar në kuvend nga mesi i kryetarëve të komunave dhe banorët e komunave pjesëmarrëse, përbërja e saktë do të definohet në statut, me të drejtë të marrjes së vendimeve të nevojshme për menaxhimin ditor të Bashkësisë/Asociacionit.


e) një administratë e udhëhequr nga shefi i administratës i cili emërohet nga dhe i raporton bordit, që do të ndihmojë punën e Bashkësisë-Asociacionit posaçërisht të bordit dhe të presidentit.


 


Asociacioni-Bashkësia do të financohet nga:


a) kontributet e anëtarëve të tij;


b) të hyrat dhe të ardhurat nga shërbimet e ofruara prej Asociacionit/Bashkësisë, kompanitë e tij, apo të nxjerra nga asetet e tij të luajtshme dhe të paluajtshme;


 


c) transferet nga autoritet qendrore;


d) kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë; Bashkësia-Asociacioni do të lirohet nga detyrimet dhe taksat në kryerjen e objektivave të tij, në të njëjtën formë sikurse komunat pjesëmarrëse.


 


 


20) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të ketë simbolet e tij zyrtare (stemën dhe flamurin), në përputhje me Ligjet e Kosovës (!)


 


AKS-ja ka të drejtë ta ketë kryetarin, territorin e vet, lidhjen me të gjitha komunat serbe në Kosovë, por edhe simbolet e veta si stemën, Flamurin, në përputhje me ligjet e Kosovës.


 


Cili ligj i Republikës së Kosovës apo cili nen i Kushtetutës së vendit lejon një krijesë paralele me të gjitha segmentet qeverisëse dhe me simbole shtetërore, të cilat do të quheshin simbole të një asociacioni. Në këtë marrëveshje nuk shkruan askund se simbolet e Kosovës do të vlejnë edhe në veri. Praktika por tregon që edhe në komunat serbe brenda territorit të Kosovës, nuk lejohen simbolet e shtetit tonë, përveç simboleve të shtetit të Serbisë. Për më tepër kryetarët serbë të komunave bëjnë shaka dhe ironizojnë pa pikë turpi, jo vetëm një zyrtar kastravec si puna e një zëvendës-ministri, por edhe vetë kryeministrin Mustafa, kur ai pyet për mos afishimin e flamurit të Kosovës në objektin e komunës. Kryetari serb ankohet me ironi e përbuzje se se “nuk i ka pesë para në xhep” për ta blerë një flamur të Kosovës, aq sa vlen për ta ky flamur, edhe pse pa asnjë shenj të kombit e të historisë shqiptare.


Marrëveshja e nënshkruar më 25 gusht 2015, në Bruksel, juridikisht legjitimon bazën për ndarjen e veriut nga vendi ynë dhe mbetjen peng të ardhmërisë së Kosovës nga oktopodi i Beogradit, i cili me leje të Brukselit, me pranim  të krerëve politikë të korruptuar e të shantazhuar të vendit, dëmton funksionalitetin, territorin dhe bazën kushtetuese e juridike të vendit. Nënshkrimi kësaj marrëveshje na kthen në kujtesë marrëveshjet e para 100 viteve të  Esad Pashë Toptanit dhe Ahmet Zogut me Serbinë e Pashiqit.  Shqiptarët liridashës të Kosovës nuk do ta pranojnë në asnjë mënyrë këtë, as marrëveshjet paraprake, të cilat dëmtojnë rënë interesin e vendit, çlirimin dhe pavarësinë nga Serbia nacionaliste e fashiste.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …