D. Goxhaj: Zogu i dha Serbisë Vermoshin e Shën Naumin, Mustafa, Veriun e mijëra hetarë tokë…

Mirë Ahmet  Zogu që i dhuroi Vermoshin e Shën Naumin Serbisë dhe si shenjë mirënjohje Serbia e solli në pushtet, në Tiranë, po Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin, mos vallë edhe këta Serbia i ka sjellë në pushtet, që i bëjnë Serbisë të njëjtën dhuratë, madje shumë më të majme  se  dikur Ahmet Zogu!

 

Shohim së fundi se  edhe një lider i opozitës kosovare u deklarua se nuk kanë bërë mirë që kanë përdorur bombulat me spraj lotsjellës në sallën e Parlamentit.  Kështu janë shprehur e shprehen pothuaj edhe shumica e politikanëve, gazetarëve e analistët në Kosovë dhe vijojnë të shprehen së bashku me ambasadorët e huaj. Mirëpo, edhe pse janë bërë shumë shkrime për këtë problem, përfshi dhe unë, nuk i është nxjerrë koka e së vërtetës se pse opoziata, e veçanërisht Albin Kurti, e ka nis këtë lloj lufte në atë sallë.

 

Para se të jap arsyet e mia që justifikojnë atë veprim të opozitës në sallën e Parlamentit, po citoj atë çka pat thënë Fan Noli ynë në  Parlamentin e Shqipërisë , në 24 gusht 1923: “Makiaveli i ndau qeveritë në tri kategori: qeveritarë që kanë mend vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me zgjuarsinë e tyre, këta janë më të mirët; qeveritarë që s’kanë mend vetë po përfitojnë nga zgjuarsia e këshilltarëve të tyre, dhe këta janë të mesmit; qeveritarë, të cilët s’janë të zotë as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë”.

 

Dhe është interesante edhe fakti që edhe kabineti qeveritar në Kosovë, i kryesuar nga Isa Mustafa, për fatin e keq, hyn në këtë kategori të tretë. Pse? Sepse jo vetëm që nuk kanë këshilltarë përsëmbari, jo vetëm që nuk e dinë Kushtetutën por edhe nëse e dinë kujtojnë se qëndrojnë mbi Kushtetutën dhe, së treti, nuk duan të dëgjojnë as opozitën, përfaqësuesen e gjysmës së popullit, e cila është këshilltarja më e madhe për çdo qeveri.

 

Opozita aktuale në Kosovë, e përbërë prej AAK, NISMA dhe Vetëvendosja u lodh duke folur sa herë në Parlament që qeveria të ishte transparente për bisedimet që bënte në Bruksel me Serbinë. Opozita e bënte këtë këmbëngulje me qëllimin e mirë që ta parandalonte ndonjë marrëveshje e cila të ishte e dëmshme për Kosovën, pasi e shihte që qeveria kosovare e ndjente veten inferiore ndaj përfaqësuesve serbë në ato bisedime. Këto i kanë thënë edhe shumë gazeta e agjensi kosovare e të huaja. Mirëpo, qeveria as që e vuri ujët në zjarr dhe bënte si i donte qejfi, duke u sjellë sikur Kosova të jetë pronë e tyre.

 

Kur Qeveria vendosi të vinte e të sqaronte Parlamentin për ato dy marrëveshje antikombëtare (Zajednicën dhe faljen e tokave Malit të Zi), ajo kërkoi ta vendoste Parlamentin dhe opozitën para faktit të kryer, kështu që Parlamenti vetëm sa të ngrinte kartonin dhe të mbyllej në heshtje  tradhëtia. Dhe këtë e kishin të sigurtë sepse provën e dhanë deputetët e PDK e të LDK se janë thjesht marioneta të Hashimit e të Isës kur u miratua Gjykata Speciale. Mirëpo, opozita e kuptoi këtë hile të Qeverisë dhe mori masa që Kryeministri të mos mundëte t’ia shtronte Parlamentit për miratim këto dy marrëveshje kobzeza.

Dhe çfarë bëri opozita? Duke e ditur se marionetat deputetë do ta miratonin, ajo i mbushi xhepat me vezë dhe e largoi ga foltoria Kryeministrin, ndërkohë i dërgoi edhe një vezë zevendësit të tij që rrinte i qetë në kolltuk, me bindjen se poi a hedhin opozitës. Mirëpo Qeveria dhe kryesia e Parlamentit nuk hoqën dorë nga kjo taktikë dhe e përsëritën skenarin. Atëherë opozita përdori dhe po përdor gazin lotsjellës me qëllim që të mos zhvillohet ajo senacë pa u anulluar nga Qeveria ato dy marrëveshje.

 

Por do të shprehet dikush”: E ç’rëndësi ka nëse i miraton Parlamenti, derisa i ka miratuar Qeveria?

 

Këtu flen lepuri. Nëse ato dy marrëvesghje antikombëtare i miraton Parlamenti i Kosovës, ato marrëveshje mbeten jet e mot në fuqi dhe nuk mundet t’i anulloi çdo parlament i ardhshëm i Kosovës. Dhe për këtë kemi përvojën e hidhur të dy marrëveshjeve të Qeverisë së Ahmet Zogut me Qeverinë e Pshiçit të Ish-Jugosllavisë, në gushtin e vitit 1928, ku qeveria shqiptare pasi nënshkroi dy marrëveshjet me qeverinë jugosllave për dhurimin kësaj të fundit të Shën Naumit dhe disa fshatra të Vermoshit, si shenjë mirënjohjeje që e risollën në pushtet Zogun, e miratuan edhe në Parlament. Dhe sot e gjithë jetën, sa të jenë këta kufij në Ballkan, Shqipëria kurrë nuk ka për t’i marrë ato dhurata të Zogut. Nëse edhe qeveria e Kosovës i miraton në parlamentin e saj këto dy mmarrëveshje Kosova nuk mund t’i ndryshoi ato jet e mot. Kësaj i parapriu përdorimi i sprajit nga opozita. Prandaj unë si shqiptar i thjeshtë i jap të drejtë dhe e miratoj edhe përdorimin e  sprajit lotsjellës nga VV, pasi vetëm ai spraj e ka bërë të mundur moszhvillimin e senacës kobëzezë të Parlamentit të Kosovës. Një thënie vulgare popullore thotë:”Kështu i dashka mushka drutë”.

Mirë Zogu i dhuroi ato territore si shenjë mirënjohje për faktin se Serbia e solli në pushtet, po Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin, mos vallë edhe këta Serbia i ka sjellë në pushtet, që i bëjnë Serbisë të njëjtën dhuratë si dikur Ahmet Zogu?

Tiranë, 4.12.2015

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …