Djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ka bërë një thirrje publike për pjesëmarrje në protestën gjithëkombëtare që do të mbahet të premten në Tiranë. Në një postim në Instagram, ai ka ndarë ftesën zyrtare të organizatorëve, mbi të cilën ka shkruar: “A jeni gati?”, duke shtuar jehonën për tubimin që pritet të mbledhë mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Protesta, e organizuar nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka për qëllim të kërkojë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë. Në mesin e pjesëmarrësve janë paralajmëruar emra të rëndësishëm nga politika shqiptare, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ish-presidentin Alfred Moisiu dhe liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Tubimi do të mbahet në sheshin “Skënderbe” të Tiranës, me fillim në orën 17:00, dhe pritet të jetë një ndër protestat më të mëdha mbarëkombëtare të viteve të fundit, në mbështetje të figurave të lirisë dhe luftës së UÇK-së.
