Natasha Lako: Rexhep Qosja, ky asket i mbyllur si në shekuj

Rexhep Qosja, ky asket i mbyllur si në shekuj, në bibliotekën e tij të shenjtë të librit shqip, si në tempullin e dijes dhe njëkohësisht krijues i një gostie të përjetshme mbretërore të mendimit shqiptar, mbetet një legjendë e gjallë, si me jetën, ashtu edhe me pasjetën e tij.

Fillon kjo legjendë që nga shfaqja e tij e parë në Tiranën tonë, si një emër tingëllues që sillte gjithë Kosovën.

E kam mbajtur gjatë në duar, që në fillimet e krijimtarisë sime, librin e tij Kontinuitete, ku ky studiues i madh zbulon së pari përbetimin kombëtar, të cilin ai vetë e kthen në art të madh.

Vëmendja e këtij kolosi për gjithçka të krijuar prej autorëve shqiptarë tregoi edhe një herë dashurinë e madhe për këtë opus madhështor, ku ka vend për të gjithë.

Pata rastin të kuptoj nga afër se sa Rexhep Qosja ka ndjekur deri në frymën e fundit çdo shkëndijë talenti që i shfaqej letrave shqipe, i palodhur si askush tjetër, për të zbuluar dhe për të ndjerë mendimin e lirë, po aq sa për të skalitur vetë lëngimin e gjatë të shqiptarëve.

Si ithtar i triumfit të fjalës shqipe, ndoshta si në të gjitha jetët letrare, provoi edhe lëndime, deri te botime nga më të përçudnuarat e deri te kopertinat, pikërisht prej atyre që botën nuk e kuptojnë pa totalitarizëm dhe njësim të ideve vetëm në një të vetme e të pakundërshtueshme.

Kjo e bën triumfin e tij edhe më të madh. Në mënyrë të veçantë, së bashku me Dritëro Agollin, Rexhep Qosja mbetet njeriu që i dha kurajë të madhe së majtës shqiptare për transformimin e saj, gjë që tregon se, në çdo lloj konfigurimi, shpirti njerëzor, i ndjeshmërive më të holla, merr përparësi ndaj çdo lidershipi të konfiguruar, të cilit jemi mësuar t’i dhurojmë shumë duartrokitje.

Rexhep Qoses do t’i mjaftonte të kishte kryer betejën e tij kombëtare qoftë edhe me romanin e tij emblematik, kryeveprën e letërsisë shqipe, Vdekja më vjen prej syve të tillë.

Zëri i tij i ngrohtë dhe i dashur do të më kumbojë përgjithmonë, qoftë në takime, të cilat në folenë e tij familjare dhuronin vetëm ngrohtësi, por veçanërisht zëri kumbues i përhapur prej Zërit të Amerikës në atë natë të paharrueshme, ku, përkrah Kadaresë për largimin e tij, Rexhep Qosja dha sinjalin aq të pritshëm për ndryshimet që do të vinin.

Shpresoj që të kenë mbetur, njëlloj si botimet, sa më shumë incizime të këtij zëri njerëzor, përfaqësues i të gjithë shqiptarëve, e veçanërisht i Kosovës, lirisë së të cilës i përkushtoi gjithë jetën, duke mbetur betim.

Të duam të gjithë bashkërisht, Akademik dhe Burrë Madhështor. Nderojmë forcën e jetës që dhuroi vetëm dashuri dhe mirënjohjen për të gjithë ata që ndërtuan shpirtin kombëtar shqiptar, duke projektuar, së bashku me urimin tënd, edhe një vështrim gjithnjë e më larg, si të syve të shqiponjës.

Ngushëllime të gjithëve për këtë ndalje të një pene të artë, veçanërisht njerëzve më të afërt të tij, botës së tij më të shtrenjtë.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI

Albert Z. ZHOLI: Historia legjendë e Qafës së Thanës

Ishte një mëngjes i freskët mali, kur një gjysh me nipin ndaluan në majë të …