Tema të tjera...
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj Prokurorisë Speciale, duke e akuzuar se po tenton të diskreditojë dëshmitarët ndërkombëtarë që dëshmuan për Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe rolin e UÇK-së gjatë luftës. Në reagimin publik, OVL e UÇK-së thotë se etiketimi i figurave ndërkombëtare si gjenerali amerikan Wesley Clark dhe ish-zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit James Rubin si të njëanshëm apo të pabesueshëm, përbën “absurditet profesional” dhe dëshmi se Prokuroria po largohet nga argumentimi juridik. Sipas veteranëve, dëshmitë e figurave ndërkombëtare nuk janë “histori të trilluara”, por pasqyrim i realitetit që, siç thuhet në reagim, “e pa e gjithë bota”, duke theksuar se UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë kundër shtypjes së regjimit jugosllav. OVL e UÇK-së vlerëson se sulmet ndaj dëshmitarëve ndërkombëtarë përbëjnë sulm ndaj historisë së Kosovës dhe aleatëve që, sipas tyre, qëndruan pranë vendit në momentet më të vështira. “Sjellje të tilla shfaqin panikun e tyre përballë fakteve që refuzojnë t’i nënshtrohen një vendimi të paracaktuar”, thuhet ndër të tjera në reagim. Veteranët kërkuan që Gjykata të mos ndikohet nga, siç e quajnë ata, “mëria politike”, por të vendosë mbi bazën e provave dhe dëshmive të paraqitura gjatë procesit gjyqësor. Në fund të reagimit, OVL e UÇK-së thekson se “historia e kësaj lufte u shkrua me gjak” dhe se, sipas tyre, “asnjë arrogancë institucionale nuk mund ta përmbysë të vërtetën e saj”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
