DEKORATA “UKSHIN HOTI”, i jepet ADEM DEMAÇIT- pas vdekjes

TA DUASH KOMBIN DERI NË DHIMBJE – Fjala e kryetarit të komunës së Rahovecit, y. Smajl Latifi

Të nderuar mysafirë, përfaqësues të institucioneve, studentë, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe ju të gjithë të pranishëm,

Sot na ka mbledhur sërish emri dhe vepra e Profesor Ukshin Hotit. Jemi këtu për të kujtuar 83-vjetorin e lindjes së njërit prej mendimtarëve më të shquar të kombit shqiptar, të një njeriu që jetën e tij e shndërroi në përpjekje të pandërprerë për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e popullit të vet.

Është thënë me të drejtë se heronjtë dhe martirët nuk kanë ditë vdekjeje; ata kanë vetëm ditëlindje. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e popullit dhe në veprat që lënë pas. Kështu ndodh edhe me Ukshin Hotin.

Shumë prej nesh e njohëm fillimisht përmes veprës dhe emrit të tij, para se ta njihnim si njeri. Në vitet e errëta të shtypjes serbe, ai ishte bërë frymëzim për brezat e rezistencës shqiptare. Mendimi i tij politik, argumentimi i tij shkencor dhe guximi për ta thënë të vërtetën e bënë një figurë të veçantë në jetën publike shqiptare.

Ukshin Hoti nuk ishte politikan i zakonshëm. Ai ishte mendimtar politik, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe intelektual që e shihte çështjen shqiptare përtej emocioneve të çastit. Kërkesa e tij për Republikën e Kosovës nuk mbështetej vetëm në aspiratat e shqiptarëve, por edhe në argumente historike, juridike dhe politike. Pikërisht kjo e bëri të rrezikshëm për sistemin pushtues jugosllav dhe për qarqet hegjemoniste serbe.

Në regjimet shtypëse, zakonisht mbizotëron argumenti i forcës dhe jo forca e argumentit. Prandaj Ukshin Hoti u burgos, u përndoq dhe në fund u zhduk. Jo sepse kishte armë, por sepse kishte ide. Jo sepse ushtronte pushtet, por sepse zotëronte autoritet moral dhe intelektual.

Ai nuk ishte konformist. Nuk bënte kompromis me të vërtetën shkencore dhe as me të drejtën e popullit të vet për liri. Kjo ishte arsyeja pse vuajti burgje, izolim, përndjekje dhe sakrifica të panumërta. Por, pikërisht këto sakrifica e ngritën figurën e tij në përmasat e një simboli kombëtar.

Ukshin Hoti e deshi kombin deri në dhimbje. Jo me slogane, por me dije. Jo me retorikë boshe, por me përgjegjësi intelektuale. Ai e kuptonte se liria nuk fitohet vetëm në fushën e betejës, por edhe në fushën e mendimit.

Për të, ndërtimi i shtetit ishte proces i vështirë që kërkonte institucione të forta, elitë të përgjegjshme dhe kulturë politike demokratike. Shumë nga sfidat për të cilat ai shkruante dekada më parë vazhdojnë të jenë aktuale edhe sot. Kjo është arsyeja pse Ukshin Hoti nuk i përket vetëm kohës së tij; ai mbetet bashkëkohësi ynë.

Duke qenë i tillë, më 16 maj 1999, kur u nxor nga burgu i Dubravës, autoritetet serbe menduan se mund ta largonin nga historia. Por historia dëshmoi të kundërtën. Ata mundën ta zhduknin trupin e tij, por jo mendimin e tij. Mundën ta mbanin të fshehur fatin e tij, por jo veprën e tij.

Kërkesa për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit mbetet detyrim moral, kombëtar dhe human. Familja e tij, miqtë dhe gjithë shoqëria shqiptare kanë të drejtë të dinë se çfarë ndodhi me të. Nuk mund të ketë pajtim të vërtetë pa të vërtetën. Po aq i rëndësishëm sa kërkimi i së vërtetës është edhe ruajtja e trashëgimisë së tij. Kompleksi muzeor, dokumentet, veprat dhe kujtesa për Ukshin Hotin nuk janë thjesht relikte të së kaluarës; ato janë udhërrëfyes për të ardhmen.

Prandaj, kur përmendim emrin e tij, nuk kujtojmë vetëm një njeri. Kujtojmë një ideal, një mënyrë të të menduarit dhe një model të rrallë të intelektualit që nuk iu nënshtrua as pushtetit, as frikës, as interesit personal.

Sigurisht që edhe qëndresa stoike e Adem Demaçit ishte një nga burimet e frymëzimit për Ukshin Hotin. Ashtu si baca Adem, edhe ai nuk pranoi të bënte kompromis me të vërtetën shkencore dhe me të drejtën natyrore të shqiptarëve për të jetuar të lirë në vendin e tyre.

Në historinë e lëvizjes kombëtare shqiptare, rrallëherë takohen dy figura që, ndonëse me rrugëtime të ndryshme, plotësojnë kaq natyrshëm njëra-tjetrën sa Adem Demaçi dhe Ukshin Hoti. Nëse Adem Demaçi u bë simboli i qëndresës së pamposhtur dhe i sakrificës së skajshme për lirinë e shqiptarëve, Ukshin Hoti u bë zëri intelektual i kësaj lirie dhe arkitekti i mendimit politik që do ta shoqëronte Kosovën në rrugën e saj drejt lirisë e të shtetësisë.

Të dy kaluan nëpër burgjet jugosllave, të dy u përndoqën për bindjet e tyre dhe të dy refuzuan të bëjnë kompromis me të vërtetën. Adem Demaçi e sfidoi regjimin me qëndresën e tij morale dhe njerëzore; Ukshin Hoti e sfidoi me argumentin shkencor, me analizën politike dhe me vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës.

Nuk është rastësi që rrugët e tyre u kryqëzuan në vitet më të vështira për popullin shqiptar. Ata e kuptonin njëri-tjetrin pa shumë fjalë, sepse i bashkonte i njëjti ideal. Adem Demaçi e kishte dëshmuar me dekada se liria kërkon sakrificë, ndërsa Ukshin Hoti po dëshmonte se liria kërkon edhe mendim, organizim dhe vizion shtetformues.

Prandaj, kur përmendim Adem Demaçin, është e vështirë të mos kujtojmë Ukshin Hotin; dhe kur flasim për Ukshin Hotin, është e pamundur të mos shohim në sfond figurën e Adem Demaçit. Ata ishin dy fytyra të së njëjtës përpjekje historike: njëri mishëronte ndërgjegjen morale të kombit, tjetri ndërgjegjen e tij politike.

Mbi këto arsyetime, dekorata komunale ,,Ukshin Hoti”, duket se është ideuar pikërisht për figura si e Adem Demaçit dhe atdhetarëve e qëndrestarëve të kombit.

Kam kënaqësinë që këtë dekoratë sonte t’ia dorëzoj veprimtarit të çështjes kombëtare, Shefik Sadikut, Kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politik të Kosovës, pasi që familjarët e bacës Adem nuk kishin mundësi të jenë këtu mes nesh.

Ukshin Hoti, ka vetëm ditëlindje

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Lushtaku ka pritur në takim kampionët e Kosovës në futsall, KF Drenicën

Kryetari i Komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku, së bashku me drejtoreshën për Kulturë, Rini …