Një reflektim personal si ish-mësues dhe ish-gazetar i luftës
Në këto ditë kam menduar për luftën e Kosovës, për njerëzit që kam takuar, për vendet ku kam lëvizur dhe mbi të gjitha, për atë që kam parë me sytë e mi, pasi po i afrohemi ditës kur Gjykata Speciale në Hagë do të japë verdiktin për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Isha në luftë si student, të cilit lufta ia ndërpreu studimet, si “mësuesi i malit” që përpiqej t’ua largonte fëmijëve mendimet nga lufta dhe si gazetar, i shtyrë nga nevoja për të treguar të vërtetën.
Kam parë fëmijë, gra, vajza, pleq, djem e burra të vrarë nga forcat serbe. Kam parë njerëz të vrarë vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse kërkonin të jetonin të lirë në vendin e tyre.
Kam parë shtëpi të djegura e të plaçkitura. Kam parë të moshuar që nuk mundën të iknin dhe mbetën pas. Kam parë familje të tëra që jetonin nën tenda në male, të zbathura, pa ushqim e pa ilaçe. Kam parë fëmijë që vuanin nga mungesa e ushqimit dhe barnave. Dhe kam parë UÇK-në pranë tyre.
Kam parë djem e vajza që kishin marrë armët për të mbrojtur familjet, fshatrat dhe popullatën e tyre. Në zonat ku kam qenë, UÇK-ja dhe populli ishin një. Nuk e kam parë atë ndarje që sot shpesh përpiqemi ta krijojmë me fjalë.
Ishin vëllezër, motra, bij e bija, baballarë e nëna të të njëjtit popull.
Në luftën që kemi përjetuar, halli ishte një: armiku serb që kishte pushtuar Kosovën.
Prandaj sot, kur katër drejtues të UÇK-së gjykohen në Hagë, si njeri që e kam përjetuar luftën nga afër, pyes:
A është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se këta njerëz janë përgjegjës për krimet për të cilat akuzohen?
Sa kujdes duhet të tregojë drejtësia në vlerësimin e dëshmive dhe materialeve të ardhura nga Serbia, një shtet që ishte vetë palë në luftën e Kosovës dhe përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë?
Serbia kishte në Kosovë ushtrinë, policinë dhe formacione të armatosura. Unë kam parë pasojat e veprimeve të tyre.
Prandaj, çdo dëshmi dhe çdo provë duhet të shqyrtohet me kujdes maksimal. Drejtësia nuk duhet të pranojë asnjë narrativë pa e verifikuar.
Kam parë njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Kam parë familje të mbledhura në male, duke u përpjekur të shpëtonin jetën. Kam parë luftëtarë të UÇK-së që qëndronin pranë tyre dhe përpiqeshin t’i mbronin nga armiku.
Në atë realitet që kam njohur unë, UÇK-ja nuk shkonte te populli për ta vrarë. UÇK-ja ishte aty sepse ai popull kishte nevojë të mbrohej.
Kam parë dëshmorë të UÇK-së që kanë rënë në luftime duke mbrojtur popullatën. Kam parë luftëtarë të plagosur, disa prej të cilëve kanë humbur gjymtyrët, duke luftuar me armatimin e pakët dhe mundësitë e kufizuara që kishin.
UÇK-ja ishte një ushtri vullnetare. Ndërsa përballë saj qëndronte një aparat shtetëror ushtarak e policor shumë më i madh dhe më i armatosur.
Nuk mund të dënohet dikush vetëm pse ka qenë pjesë e UÇK-së. Nuk mund të dënohet dikush vetëm pse ka qenë në udhëheqjen e saj.
Përgjegjësia penale duhet të jetë individuale dhe duhet të provohet.
Nëse pas gjithë këtij procesi gjyqësor nuk është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësia individuale e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, atëherë drejtësia duhet t’i lirojë.
Jo sepse janë shqiptarë.
Jo sepse kanë qenë pjesë e UÇK-së.
Por sepse drejtësia duhet të dënojë vetëm atë që është provuar dhe prokuroria nuk ka arritur të provojë së ata janë fajtor për atë që akuzohen.
Unë isha atje.
E kam parë luftën.
E kam parë popullin.
E kam parë UÇK-në.
Dhe e kam parë edhe armikun.
Ato kujtime askush nuk mund të m’i ndryshojë.
Por ka edhe diçka tjetër që më mbetet peng: nuk kam parë të njëjtën drejtësi që do të duhej t’u jepte përgjigje krimeve të kryera nga pushtuesi serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Nuk kam parë përgjegjësinë e plotë për njerëzit e vrarë, për familjet e dëbuara, për shtëpitë e djegura e të plaçkitura, për fëmijët që humbën jetën, për gratë dhe vajzat që u dhunuan, për të moshuarit që nuk mundën të iknin dhe për plagët që ajo luftë la në çdo familje.
Edhe sot i shoh pasojat e asaj lufte të pabarabartë.
Dhe pikërisht për këtë arsye, sot dua vetëm një gjë:
Drejtësi.
Drejtësi që kërkon të vërtetën, identifikon autorët e krimeve dhe nuk dënon askënd pa prova.
Sepse unë isha atje. Dhe ajo që kam parë ishte një popull që kërkonte lirinë dhe një ushtri vullnetare që luftonte për ta mbrojtur atë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
