Ekspertja e çështjeve të Ballkanit, Nevenka Tromp, tha se Gjykata Speciale ka narrativë politike, dhe funksionon me pazarllëqe

Nevenka Tromp: Gjykata Speciale ka përmbajtje politike dhe funksionon me pazarllëqe

Ekspertja e çështjeve të Ballkanit, Nevenka Tromp, e cila ishte ndër hulumtueset kryesore të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, në një intervistë për Demokracia.com ka thënë se dokumentet që Serbia po ia ofron Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Thaçit dhe të tjerëve, nuk kanë qartësi nëse do të pranohen si fakte.  Gjykata Speciale ka narrativë politike, ndërsa politika funksionon me pazarllëqe. Specialja po funksionon në margjinat e një procesi më të madh, që e çon dialogun Kosovë-Serbi në një shkallë tjetër. Ndërsa, Serbia e ka shfrytëzuar gjykatën brenda procesit të dialogut në disa mënyra, ku një nga to është hakmarrja kundër UÇK-së dhe lidershipit të saj, i cili e ka mposhtur Serbinë në fushëbetejë dhe e ka fituar luftën. Ish-hulumtuesja e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës në rastin kundër Millosheviqit, ka thënë se çfarëdo rrethanash politike të kenë qenë në vitin 2015 dhe para krijimit të Gjykatës Speciale ato ishin kyçe për krijimin e kësaj gjykate

Ish-hulumtuesja e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës në rastin kundër Millosheviqit, ka thënë se çfarëdo rrethanash politike të kenë qenë në vitin 2015 dhe para krijimit të Dhomave të Specializuara, ato ishin kyçe për krijimin e kësaj gjykate.

“Ne e dimë se rrethanat politike kanë ndryshuar rrënjësisht tashmë, megjithatë ato nuk do të ndikojnë në punën e gjykatës, e cila tashmë ekziston. Secila gjykatë e ka narrativin dhe të kaluarën politike dhe i ka parimet ligjore mbi të cilat funksionon.

Politika funksionon gjithashtu bazuar në pazarllëqe. Rrjedhimisht, në procesin e krijimit të gjykatës kanë qenë një sërë akterësh, duke përfshirë akterë shtetërorë, si për shembull Rusia. Por, të mos harrohet, kjo gjykatë nuk është produkt i vendimit dhe ndikimit rus mbi Qeverinë e Kosovës. Ishte produkt i një presioni dhe ndikimit mbi Qeverinë e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian në atë kohë. Ne e dimë se rrezikimi në pazar për krijimin e kësaj gjykatë erdhi nga Serbia.

Pse Serbia e deshi një gjykatë të tillë? Sepse, Serbia tha: në rregull, nëse na bëni presion që ta njohim Kosovën si vend të pavarur, atëherë ne duam diçka të madhe si shpërblim. Gjykata tashmë nuk e ka absolutisht vëmendjen e audiencës liberale. Askush në botë nuk po e ndjek se çfarë po ngjet në këtë gjykatë.

Dhe kjo gjykatë tash po funksionon në margjinat e një procesi më të madh, gjë që po e çon dialogun Kosovë-Serbi në një shkallë tjetër, ku Serbia po pengon çdo progres të vogël që Kosova po e arrin, që të duket si shtet i plotë funksional. Shembuj të tillë janë çështjet me tabela të veturave dhe dokumentet për kalimin e kufirit. Serbia e ka shfrytëzuar gjykatën brenda procesit të dialogut dhe atë në disa mënyra.

Një nga to është hakmarrja kundër UÇK-së, respektivisht lidershipit të saj, i cili faktikisht e ka mposhtur Serbinë në fushëbetejë dhe e ka fituar luftën. Së dyti, Serbia, duke e shfrytëzuar gjykatën, posaçërisht këtë storien rreth trafikimit të organeve për ta demonizuar popullatën kosovare në përgjithësi si nënqenie se gjoja ka bërë krime aq monstruoze, për të cilat kurrë nuk ka pasur fakte. Dhe e treta, po ashtu e rëndësishme: duke nisur narrativën e krimeve nga UÇK, po e sposton narrativën e  “djemtë e këqij e të mirë ” pak përtej zonës “grej”.

Sepse, para kësaj gjykate ka qenë e qartë se kush ka bërë krime gjatë konfliktit në Kosovë. Ishin serbët! Kush ishin viktimat kryesore? Ishin shqiptarët! Tash kemi gjenerata të reja, të cilat lexojnë media vetëm prej vitit 2015 e këtej, të cilat mendojnë se edhe shqiptarët paskan bërë gjëra të tmerrshme. Është e pamundur të krahasohet shkalla e krimeve që serbët i kanë kryer me ato çka UÇK-ja ka bërë brenda një kohe të shkurtër, e cila i ka kap armët në dorë kundër okupatorit serb për t’i mbrojtur shtëpitë dhe popullatën e tyre.

Si mund të krahasohen krimet e kryera nga një shtet me infrastrukturë të plotë ushtarake kundër shqiptarëve të Kosovës, të cilët u organizuan vetë jo për të pushtuar një territor përtej atij të Kosovës, por për të mbrojtur shtëpitë e tyre, nënat, motrat dhe vajzat e tyre?!

Në këtë mënyrë, mund të shihet UÇK-ja në pozitë të mbrojtësit dhe rezistuesit ndaj pushtuesit”, ka thënë ish-hulumtuesja e Gjykatës së Hagës  në rastin kundër Millosheviqit për Demokracia.com.

Tromp, po ashtu, ka thënë se Serbia po e bën atë çfarë pritej të bënte.

“Jo vetëm për shkak të gjykatës, por ajo ka qenë gjithnjë e angazhuar në prodhimin dhe ofrimin e dokumenteve dhe dëshmitarëve në Gjykatës së Hagës, ku ka përfshirë edhe shumë dëshmitarë serbë. Kur flasim për dëshmitarë, duhet ditur se asnjë fakt nuk bëhet fakt para se të pranohet nga gjykata si fakt kredibil. Prandaj, shuma e madhe e dokumenteve që Serbia po i ofron prokurorisë kundër Thaçit dhe të tjerëve, nuk ka qartësi nëse do të pranohen si fakte.

Kjo është shumë e rëndësishme të thuhet. Ne kemi pasur rastin në Gjykatë gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviqit, ku këto dokumente janë prodhuar “post facto”, pas pesë ose dhjetë viteve kur ka përfunduar lufta, nga grupi i ekspertëve, i quajtur si “Komisioni i VJ për bashkëpunim me Gjykatën”. Dhe nëse e lexon se kush ishin këta ekspertë, atëherë e kupton se vetë këta kanë qenë të përfshirë në këto krime. Mendoj se sot ka lojtarë të rrezikshëm, nuk do t’i jepja prokurorit të SPO aq pushtet sa mendon se mund të kenë.

Gjykatat ekzistojnë së paku për të gjitha palët dhe secila palë duhet të angazhohet dhe të luajë rolin e vet në proces, ku kemi Dhomat, Gjyqtarët, Prokurorinë dhe Regjistrin. Nëse thuhet se Prokuroria është e fuqishme, atëherë pyetja ime e parë është: ku janë gjyqtarët? Dhe pyetja ime tjetër më e rëndësishme është: ku është mbrojtja? Ekzistojnë një sërë shembujsh kur njerëzit janë liruar në lirim të përkohshëm para se gjykimi i tyre të fillojë.

Pra, cila nga këto dinamika ka pasur përparësi dhe pse mbrojtja nuk pati sukses që Thaçi dhe të tjerët të mbrohen në liri?! Për Serbinë ky proces duhet të vazhdojë pafundësisht, sepse nëse këta njerëz mbesin në burg 20-30 vjet, atëherë për ta është dënim i mjaftueshëm, kështu që më pas askush nuk do të kujtojë se në Kosovë ka pasur një luftë në 1998-1999”, ka thënë Tromp për Demokracia.com.

Nevenka Tromp është ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit në Holandë. Ajo ishte anëtare e Ekipit Hulumtues në TPNJ dhe nga 2000 e deri më 2006 hulumtuesja kryesore në ekipin e ndjekjes penale kundër Slobodan Milosheviqit.Tromp është edhe autore e librit “Ndjekja penale e Sllobodan Millosheviqit: Gjyqi i pambaruar”, ku thotë se do të ishte historikisht e pasaktë të fajësohet vetëm Millosheviqi për efektet shkatërruese të politikës së tij dhe ky do të ishte një reduktim historik që nuk do të shpjegonte përgjegjësinë e strukturave shtetërore të Serbisë dhe të marionetave të saj në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90-ta, që çuan në shkatërrime masive të qyteteve dhe fshatrave, si dhe humbje të jetëve të njerëzve.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …