Behxhet Shala: Premtimet që po bëhen në këtë fushatë është vështirë të realizohen edhe me buxhet të Emirateve të Bashkuara

Fushata parazgjedhore po vazhdon pa tensione të mëdha dhe mund të llogaritet relativisht e qetë. Në aspektin e sigurisë fizike për kandidatët por edhe për votuesit e mundshëm. Është karakteristikë se numri i pjesëmarrësve është stabil që nënkupton se disa subjekte politike e kanë mbështetjen e një trupi votues tradicional. Kanë votues të parapaguar. Përjashtim bënë veriu i Kosovës ku është rikthyer koha e Boshko Buhës, hedhësit legjendar të bombave në luftën e dytë botërore. Pa pasoja në njerëz dhe jam i sigurt pa pasoja edhe në rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Sepse, eparhu i Eparhisë së Prizrenit, i maskuar si kryeministër i Serbisë, Ati Ivica Daçiq, në Kishën e Graçanicës, gjatë një liturgjie fetare thirri votuesit serbë të votojnë për Zajedniçka Republika Listën Srbska nëse duan t’i shërbejnë Serbisë dhe ta kenë Serbinë në Kosovë!


Karakteristikë e kësaj fushate është se premtimet që po bëhen ndërlidhen kryesisht me zgjedhjet parlamentare prandaj edhe i llogaris si zgjedhje të përgjithshme. Gjithashtu, është interesant se fushatat po udhëhiqen kryesisht nga liderët e subjekteve politike që pretendojnë të dalin fitues. Kandidatët e nominuar rrinë të paluar si nuset ditën e hënë kur vizitohen nga gratë e mëhallës që presin të marrin dorë. Kështu është edhe në politikë! Kandidatët për kryetar kryesisht i varin shpresat për fitore te kryetari i partisë. Mënyra e bërjes së fushatës ka pësuar ndryshime nga zgjedhjet paraprake. Është kombinim i stilit Obama dhe ai i Fierit! Obama stile është kur ulesh para votuesve , në shoqëri të kryetarit dhe komunikon me ta përmes fjalës së kryetarit. Nëse të jepet fjala! Modeli i Fierit është ai i lypësve të lëmoshës nga Shqipëria , derë më derë! Apo dorë me dorë! Modeli i Fierit garanton më së shumti vota sidomos nëse përdoret kur dielli perëndon dhe ikën drita! Një numër i kandidatëve preferon debatet televizive sepse ajo është e vetmja mënyrë të duken se janë gjallë. Si “hulumtues terreni “ në këtë fushatë shquhen sidomos Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj me Dacin si përcjellës, Albin Kurti dhe i Madhi Behgjet Pacolli. Hashim Thaçi duket se ka kondicion fizik dhe gojor për lakmi. Fizikisht është i fortë si Sali Berisha e gojarisht si Hydajet Hyseni! Isa Mustafa gjithashtu ka një pregatitje të mirë fizike sepse nuk po ndalet së shetituri nga vendi në vend ndërsa gojarisht  është perfekt. Po flet pa letra para. Ramush Haradinaj këto vizita në terren i ka zëvendësim të shetitjeve në Gërmi ndërkaq oratorinë e ka tradicionale. Dukagjinçe! Albin Kurti ka fituar pak në peshë dhe këto vizita mund t’i ndihmojnë në rikthimin e linjave trupore të mëparshme. Ndërkaq, sa i përket oratorisë ka kondicion sa vet Fidel Kastro! Dua të them se të gjithë këta bartin në vete një karizmë! Kush më të vogël , kush më të madhe! Gjuha e përdorur është kryesisht në suaza së të lejuarës , kulturës politike dhe personale si dhe pregatitjes intelektuale të tyre. I Madhi Behgjet Pacolli , falë Zotit të Madhërishëm e shëroi pikërisht në kohën e duhur lëndimin e këmbës apo zogun e këmbës! Interesant, këtë vit shumë gjëra po sillen rreth zogut! M’u bë zemra mal kur një ditë të bukur pata nderin t’i shoh duke parakaluar në qendër të Prishtinës çiftin e mrekullueshëm, Behgjet Pacollin me…Baton Haxhiun,  kombinim i përkryer i trurit dhe hurit!


Para një jave u përpoqa të bëjë një analizë për kandidatët që garojnë për kryetar të Prishtinës! Pa pretendime se jam i pagabueshëm! Mund edhe tash të gaboj por them se për të parin e Prishtinës do të vendosin LDK – Isa Mustafa, PDK- Agim Çeku dhe VV – Shpend Ahmeti! Me një sondazh të porositur dhe të paguar edhe Kaçusha mund të bëhet kryetare sikur Salihu, Korabi, Valoni apo Besniku. Madje edhe pa balotazh! Kryetari legjendar i të Fortëve bënë përjashtim. Është jashtë çdo konkurence! Realiteti është ndryshe nga dëshira apo perceptimi! Gjatë analizës sime nuk jam mbështetur në ndjenja por në fakte. Një mik imi më qortoi se në analizën time të fundit i kam siguruar Isës së paku 1000 vota. Tash, kur përsëri them se Isa do të fitojë edhe një mandat, mos ia kam siguruar edhe 1000 vota shtesë ?! Unë nuk siguroj vota për askend dhe nuk i marr vota askujt! Aktualisht në Prishtinë ende nuk janë krijuar rrethanat që zgjedhjet t’i fitojë një subjekt tjetër pos LDK-së. Nuk jam anëtar i kësaj partie e as simpatizues mirëpo nuk shoh se dikush tjetër në Prishtinë mund t’i fitojë zgjedhjet përveç Isa Mustafës! E them gjithashtu se kurrë më parë nuk ka pasur kandidatë më të fortë në garë për kryetar të Prishtinës se sot. Ky kualitet garuesish është investim i mirë për të ardhmën e Prishtinës në veçanti dhe skenën politike të vendit në përgjithësi!


Premtimet që po bëhen në këtë fushatë është vështirë të realizohen edhe me buxhet të Emirateve të Bashkuara e lëre më me këtë buxhet social të Kosovës. Por në shprehje po vjen minhauzenizmi, filozofi kjo e njohur nga grofi Minhauzen, mbret i gënjeshtrave! Dhe imagjinata si dhe humanizmi i mbuluar me interese krejtësisht personale! Kështu, kemi premtime se Kodrën e Trimave do ta bëjmë si Gërminë në kohën kur edhe kjo ka filluar të shndërrohet në betone dhe deponi për mbeturina që nuk riciklohen! Tjetri ofron t’i dhurojë 70 hektarë komunës, por ka gabuar se 10 hektarë janë të një komandanti, pronë personale nëse fiton kandidati i tij i cili pastaj do t’ia trefishojë kompensimin këtij “dhuruesi“! Llapjanët do ta çrrënjosin analfabetizmin duke mësuar shkrim – lexim kur të hapen degët e fakultetit filologjik në Besianë. Po ofrohet zgjidhje për Trepçën duke e privatizuar në llogari të një politikani grykës i cili e ka penguar deri më tani privatizimin duke i përjashtuar nga loja edhe anglezët! Po premtohen aq shumë vende të reja të punës sa që do të detyrohemi të angazhojmë fuqi punëtore nga Kina dhe India! Nga Bangladeshi dhe Pakistani. Nga Koreja e Veriut dhe Serbistani! Po premtohen impiante për përpunimin e ujërave të zeza në kohën kur jemi mësuar me aromën e tyre! Shumë pishina, halla sportive dhe stadiume të futbollit. Që janë aq të nevojshme kur dihet se kemi sportistë kulminantë me mijëra medale olimpike, botërore, evropiane etj! Dikush premton ndërtim të udhës për tramvajë, mbitokë, tjetri ndërtim të metros, nëntokë! Kam rezervë për mbitokë sepse mungojnë ekspertët ndërsa për ndërtim të metros (nëntokë) jam shumë optimist marrë parasysh të vërtetën e pamohueshme se nëntokën e kemi shumë të zhvilluar! Dhe shumë të profilizuar! Të përkrahur edhe ndërkombëtarisht!


Varësisht nga përvoja kandidatët e shfaqin sigurinë apo pasigurinë e tyre. Të bindur se do të fitojnë pa konkurencë janë ata që kanë udhëhequr komunat për dy mandate. Nuk e besoj se fundi do të jetë ashtu siç e deklarojnë. Dikush do të digjet keq! Nuk e besoj se do të ketë ndryshime të mëdha. Lufta për kryetarë të komunave do të zhvillohet midis PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe zajedniçka Lista republika srbska. Do të ketë më shumë balotazhe se në zgjedhjet paraprake. Përcaktues të fitoreve apo humbjeve do të jenë: Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Rexhep Taip Erdogan dhe Ivica Daçiq si të angazhuar drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore. E metë e këtyre zgjedhjeve është se partitë opozitare që duan t’i fitojnë zgjedhjet nuk ofrojnë asgjë konkrete por i listojnë gabimet dhe dështimet si dhe premtimet e parealizuara të pozitës! Mbi këtë koncept e ndërtojnë fitoren e tyre! Lëshim i radhës është se ka pak kandidat të pavarur në këto zgjedhje. Janë dy kandidatë që peshojnë në bursën politike ; Refki Suma dhe Nexhmedin Spahiu. Dhe një kandidate e pavarur e kategorisë pendël; Adriana Hoxhiq! Refki Suma ka qenë kandidat model për një qeverisje të mirë dhe të moralshme në shërbim të qytetarëve. Pozicionin e ka pasur shumë më të fortë sa ishte kandidat i pavarur ndërsa tash, i përkrahur nga VV e ka vënë në diskutim statusin e kandidatit krejt të pavarur ndonëse është favorit absolut në Han të Elezit! Nexhmedin Spahiu hyri në balotazh si kandidat i Behgjet Pacollit në zgjedhjet e fundit. Tash e ka shumë larg balotazhin. Ndërkaq Adriana Hoxhiq do të fshihet si pendël nga Zajedniçka lista republika srbska!  


Kandidatja e AAK-së për Burim, Donika Kadaj Bujupi po rrezaton siguri duke e ngrohur fitoren e sigurt të Haki Rugovës. Mbase edhe pa balotazh! Po Donika ka paraqitje shumë të mirë mirëpo e kanë futur si qengj në mesin e ujqve të vjetër në krye me kryeujkun Haki Rugova! Edhe ana e mençur dhe kryekontabilistja e Behgjet Pacollit, Mimoza Kusari do ta ketë thuaja të pamundur fitoren ndaj shën Palit në Gjakovë. Kundërkandidat për balotazh, gjykuar sipas numrit të pranishëm në tubime zgjedhore mund ta ketë Hajdar Beqën e PDK-së i cili, pas një paraqitje jo shumë të sigurt në fillim të fushatës, tash ka paraqitje shumë të mirë, të argumentuar dhe të strukturuar logjikisht. Nëse merret për bazë numri i të pranishmëve në këto tubime atëherë mund të konsiderohet se PDK në Gjakovë dhe Besianë me kandidatin Naim Fetahu do të kenë një rritje të konsiderueshme. Në Gjakovë fitorja është e shën Palit ndërsa në Besianë gjasat për fitore i ka Agim Veliu. Për rezultatet në komunat tjera mbase do ta marr guximin të jap parashikime në shkrimet e radhës. Por, nuk mund pa e theksuar faktin se është një kandidate për kryetare të komunës e cila më ka impresionuar me paraqitjen e saj. E cila ka qenë shumë larg kandidatëve tjerë ndonëse nuk ka gjasa të bëhet kryetare e komunës. Ajo është Labinota Demi-Murtezi, kandidate e Partisë së Drejtësisë për Gjilan.


Serbia është Kosovë dhe Kosova është Serbi thoshte Daçiqi në Beograd dhe Prizren dhe Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi tha Erdogan në Prizren! Për t’i konkretizuar këto slogane Daçiq do ta përdorë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë ndërsa Erdogan do ta përdorë Ahmet Davutogllun me Thellësitë Strategjike. I pari sheh ëndrra me sy hapur për Velika Serbija ndërsa i dyti për rikthim të Perandorisë Otomane! I pari duhet të distancohet nga krimet 150 vjeçare të Serbisë ndaj shqiptarëve ndërsa i dyti duhet të distancohet nga krimet 500 vjeçare të perandorisë ndaj shqiptarëve! Vetëm atëherë mund të flitet për normalizim dhe ardhmëri!


Në pamundësi për të shkuar derë më derë, apo për t’ua çokur duart, me rastin e vdekjes të gruas së shokut Josip Broz Tito, shoqes Jovanka Broz, të gjithë atyre që i kanë shërbyer me përkushtim dhe besnikëri prej qenit, ish politikanë dhe politikanë të tashëm që janë në pushtet dhe afër pushtetit, ish profesorë të Universitetit të Prishtinës dhe profesorë të tashëm të Universitetit “Hasan Prishtina“, që kanë ligjëruar për veprat e vizionarit të vëllazërim- bashkimit dhe Jugosllavisë së painkuadruar, Josip Brozit dhe që kanë dënuar destabilizuesit e shtetit – studentët e këtij universiteti, ish gjykatës dhe prokurorë që janë aktiv edhe sot dhe që kanë shqiptuar dënime shekullore për armiqtë e vëllaznim – bashkimit dhe socializmit vetqeverisës, gazetarë, analistë dhe pronarë të mediave elektronike dhe të shkruara, pjesëtarë të UDB-së tash të inkuadruar në Polici të Kosovës dhe AKI dhe të tjerët që, në këto çaste të dhimbjes së madhe nuk po më kujtohen emrat dhe funksioni, për çka ju kërkoj falje, u shpreh ngushëllime të sinqerta për këtë humbje të madhe. Shpresoj se në kontekst të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe lirinë e lëvizjes së shtuar do t’i mundësohet një delegacioni nga Kosova të marr pjesë në ceremoninë e varrimit që do të mbahet të shtunën, më 26 tetor 2013. Aty do të kenë rastin ta nderojnë edhe atë që i kanë shërbyer tërë jetën, shokut Tito! Delegacioni do të përbëhej nga një pjesë e stafit të Presidencës së Republikës së Kosovës dhe disa ministrave, deputetëve dhe këshilltarëve të kabinetit të kryeministrit Thaçi në me krye zëvendëskryeministrin e parë, z. Behgjet Pacolli! Sipas protokollit të shtetit bëhet edhe delegacioni! Ju lutem të na lajmëroni kur të hapni derën për kryeshëndosh duke na treguar cili institucion do ta organizojë këtë, vendin dhe kohëzgjatjen e pritjes për ngushëllim!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …