Arbana Qeriqi: Dy Ikona të Kombit në Amshim – akademik Rexhep Qosja dhe profesor Ahmet Qeriqi

Dy shkuarje në amshim brenda një viti, dy dhimbje që peshojnë rëndë në ndërgjegjen kombëtare. Njëra në Ditën e Mësuesit, tjetra në Ditën e Librit. Nuk janë vetëm data kalendarike; janë simbole që përkojnë me jetën dhe veprën e dy figurave që i dhanë kuptim arsimit, dijes dhe identitetit shqiptar.

Akademiku i përmasave botërore, profesor Rexhep Qosjanjë ndër mendjet më të ndritura të kulturës shqiptare që përfaqësonte ndërthurjen e mendimit kritik me përkushtimin ndaj gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ai nuk ishte vetëm studiues, ishte institucion në vete. Veprat e tij janë thesare të çmuara që do t’i shërbejnë kohës, duke ndriçuar rrugën e brezave që kërkojnë të kuptojnë thelbin e identitetit tonë kombëtar. Akademik Qosja e ngriti mendimin shqiptar në një nivel të denjë ndërkombëtar, duke dëshmuar se kultura jonë ka zë, peshë dhe dinjitet në botë.

Në anën tjetër, profesor Ahmet Qeriqi, atdhetar, shkrimtar, kronist i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte zëri i kohës së rezistencës dhe luftës. Për 26 vite në krye të Radios Kosova e Lirë, ai dokumentoi, dëshmoi dhe mbrojti të vërtetën historike. Ai ishte një njeri që, në kuptimin më të thellë të fjalës, e shkriu atomin e fundit të jetës së tij për kombin dhe atdheun. Profesor Ahmet Qeriqi nuk ishte vetëm dëshmitar i historisë, ai ishte pjesë e saj.

Sa domethënëse dhe njëkohësisht sa prekës është përkimi i ndarjes së tyre nga jeta me dy data që përfaqësojnë themelet e një kombi: arsimin dhe librin. Kjo përkon me një simbolikë të rrallë, sikur jeta e tyre të ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me misionin që përfaqësuan deri në fund.

Ata u larguan fizikisht, por lanë pas një trashëgimi të pasur e të pazëvendësueshme. Për shtetin dhe për brezat që vijnë, kjo trashëgimi nuk është vetëm kujtim, është udhërrëfyes. Në veprat e tyre, në mendimin e tyre dhe në përkushtimin e tyre, gjenden burime të pashtershme dijeje, frymëzimi dhe vetëdijeje kombëtare. Brezat do të kenë çfarë të mësojnë, çfarë të lexojnë dhe mbi çfarë të ndërtojnë të ardhmen.

Megjithatë, përtej krenarisë që ngjallin këto figura, mbetet një ndjenjë e thellë trishtimi. Ata që dhanë kaq shumë për kombin e bashkuar, nuk arritën ta shohin atë të realizuar. Ky është një peng që rëndon jo vetëm mbi kujtimin e tyre, por edhe mbi ndërgjegjen tonë kolektive. Sepse bashkimi kombëtar nuk ishte për ta vetëm një ideal politik – ishte një aspiratë historike dhe shpirtërore.

Kjo e bën edhe më të madhe përgjegjësinë tonë. Trashëgimia që ata lanë nuk duhet të mbetet vetëm në libra apo në kujtime përkujtimore. Ajo duhet të shndërrohet në veprim, në përkushtim dhe në vizion shtet formues. Ndërtimi i një shteti të fortë, të drejtë dhe të qëndrueshëm, që respekton dijen, kulturën dhe historinë, është mënyra më e mirë për të nderuar jetën dhe veprën e tyre.

Në këtë kontekst, figura si akademik Rexhep Qosja dhe profesor Ahmet Qeriqi janë më shumë se individë, janë shtylla të identitetit tonë kombëtar. Ata dëshmuan se kombi ndërtohet me dije, me sakrificë dhe me përkushtim të palëkundur. Ata na kujtojnë se pa kulturë nuk ka shtet të fortë, dhe pa memorie historike nuk ka të ardhme të sigurt.

Sot, ndërsa i kujtojmë me krenari dhe dhimbje, duhet të reflektojmë mbi detyrën që kemi: të ruajmë dhe të zhvillojmë atë që ATA ndërtuan. Sepse vetëm kështu, mungesa e Tyre merr kuptim, si një vazhdimësi, jo si një fund.

Lavdi jetës dhe veprës së Tyre. Kujtimi për TA, qoftë i përjetshëm në ndërgjegjen e kombit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: MASAKRA E BURGUT TË DUBRAVËS – KRIMI MBI TË BURGOSURIT E MBROJTUR NDËRKOMBËTARISHT

Masakra e Burgut të Dubravës mbetet një nga ngjarjet më të errëta dhe më tronditëse …