Menderes Zeneli: Hero Xhevat Qerimi, mbete i gjallë ti je vetë Liria

Heroi Xhevat Qerimi ka 30 vite që nuk është më fizikisht mes nesh, por nderimi e përkujtimi për të, vazhdon. Kësaj radhe me një libër për Xhevatin, me autor Avni Azizin, ku paraqiti dokumentarin ,,Ëndërr e prerë në mes”, të shfaqur në Radio Televizionin Shqiptar dhe në manifestimin ,, Flaka e Janarit 2023,, në Gjilan. Njëzetë e tetë kapitujt e librit, përmes simbolikës së veçantë , e identifikojnë heroin që nga fëmijëria , deri në janar 1993.
Romanin historik ,,Atje ku fshihet dielli ,, që i kushtohet Xhevat Qerimit , autori e nis me historinë e popullit shqiptar dhe mbijetesën e formimit si komb e shoqëri që ka kaluar nëpër shumë sfida. Ai paraqet në këtë libër, vuajtjet e shumta që ka kaluar populli ynë nëpër etapa të ndryshme ,si shpërnguljet, tkurrjen e trungut Arbëror, e deri në ditët e sotme. Elaboratet e ndryshme , të përgatitura kryesisht nga fqinjët e shqiptarëve dhe të pranuara nga Fuqitë e Mëdha , kanë bërë që shqiptarët të jetojnë sot në territore të ndara e të cunguara.
Gjatë gjithë jetës së tij, Xhevati , siç e përshkruan autori i veprës, ,,krijoi miq e kryevepra, të fluturojë deri në Olimp’’.
Vendlindja e Xhevatit është Tërpeza , e njejtë me atë të Hysenit ( Tërpeza) , një luftëtari tjetër të njohur për trimërinë e tij. Në libër bëhet një përshkrim shumë i kujdesshëm, për gjenealogjinë e pemës familjare si nga ana e babait dhe e nënës. Nuk është lënë në harresë as shpërngulja e familjes, Qerimi nga Tërpeza në Pozharan të Vitisë , si dhe arsyet e e lëvizjes së kësaj familje ,të njejta si ato të shumë familjeve të tjera shqiptare. Basri e Rexhie Qerimi kanë pas trashëgiminë e tyre familjare, djemtë e vajzat ; Qemajlin, Xhevatin, Magribën, Ramizin, Teutën e Sheqeren . Xhevati ishte fëmija i dytë i tyre. Të gjithë jetojnë sot ,përveç Xhevatit !
Vitet e shtatëdhjeta , lanë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e shqiptarëve edhe përtej kufijve të shtetit amë, apo siç thoshte i madhi Dritëro Agolli, jeta u ngjall paksa edhe për shqiptarët këndej Drinit . Në Tiranë u mbajt Kongresi i Njësimit të Gjuhës Shqipe. Shqiptarët këndej kufijve, filluan të dalin në vendet Perëndimore , kryesisht në Zvicër e Gjermani. Edhe Basriu nisi rrugën e mërgimit, si plot të tjerë. Por, ndryshe nga shumë të tjerë, ai nuk u kthye në një mërgimtar që shihte vetëm punën e re e siguronte të ardhura për familjen. As në mërgim nuk ndenji duarkryq sa i përket çështjes kombëtare. Nisi të sillte me vete në vendlindje, fillimisht botimin ,,Shqipëria e Re ,, e me vonë, edhe revista e broshura që botoheshin atje ; si “Zërin e Kosovës“ , “Lajmëtarin e Lirisë“ e të tjera. E gjithë kjo, padyshim që la gjurmë të thella tek formësimi patriotik edhe i trashëgimtarëve të Basriut , sidomos te Xhevati e Qemajli. Xhevati, edhe pse në moshë të re, ishte shumë i pjekur edhe si pasojë e ngjarjeve të nxehta të kohës. Rinia e atëhershme, rritej me dëgjimin e rrëfimeve për gjërat që kishte përjetuar padrejtësisht kombi i tyre, shumë prej tyre ishin vetë dëshmitarë të ngjarjeve të mëdha.
Organizimet e përpjekjet për liri e bashkim kombëtar, kishin filluar me NDSH-në e vazhduan më pas me Metush Krasniqin, Adem Demaçin, e shumë patriot të tjerë. Kulminacioni i gjithë këtyre përpjekjeve titanike, arriti të kurorëzohej më 17 janar 1982, nga Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Ibrahim Kelmendi e Hysen Gega. Kjo datë e ngjarjet që lidhen me të, ishte vendimtare për vazhdimin e mëtejshëm e një organizimi shumë kuptimplotë, me një disiplinë të lartë për sfidat që u shtroheshin këtyre patriotëve përpara. Xhevat Qerimi edhe formalisht, u bë pjesë e këtyre ndodhive të rëndësishme aty nga viti 1985 si antar i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës dhe një udhëheqës i denjë i saj, deri 10 janar 1993, Xhevati do të vazhdonte luftën e tij pa u ndalur asnjëherë. E kjo luftë ishte e gjatë dhe e vështirë, që nga demostratat lokale, deri te një organizim të shumë pritur ushtarak , me pjesëmarrje në ushtrime ushtarake për përgaditjene luftës së armatosur nga oficerët e Akademisë Ushtarake të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë në Tetor 1991 në Surrel – periferi të Tiranës.
Veprimtaria e tij politike e kombëtare, është vështirë të përmblidhet në pak rreshta. Por ajo shpaloset e plotë në këtë libër, në të cilin autori e paraqet kryepersonazhin e tij, në të gjitha dimensionet reale, me një përshkrim të thelluar në veçoritë e karakterit të tij, duke e sjellë si të gjallë para lexuesit. Angazhimi i pandalur në çështjen kombëtare, është krenari jo vetëm për Xhevatin, por mbi të gjitha për familjarët e tij, prindërit , bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij. Libri përshkruan heroin në mënyrë figurative përmes të gjithë kapitujve të tij, për të sjellë kështu në mbamendjen tonë kolektive kombëtare e për ta ruajtur me fanatizëm jo vetëm për ata që i përjetuan por edhe për brezat që vijnë, veprimtarinë e heronjve të tillë që shënuan këto ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.
Janë pikërisht luftëtarët e tillë të çështjes sonë kombëtare, si Xhevat Qerimi me bashkëmendimtarët e bashkëluftëtarët e tij, që janë të rënët për Atdhe, ata të cilëve ne ua kemi borxh të ardhmen tonë. Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha , Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu, Fadil Vata , Ilir Konushevci, Bardhyl Osmani, Fetnete Ramosaj , Qerim Kelmendi etj, lanë një shqetësim mes nesh me vdekjet e tyre të parakohëshme! Por njëkohësisht, na bënë krenarë , sidomos brezin që këto ngjarje i përjetoi nga vija e parë e luftës. Na takon neve që jemi gjallë, të përkujdesemi maksimalisht që këta heronj të vazhdojnë të jetojnë mes nesh . Ëndrrat e tyre nuk duhen lënë në harresë. Ideali i Xhevatit e i shokëve të tij u realizua, u themelua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pjesërishtë janë arritur ato ideale për të cilat ai luftoi. Është shpallur edhe “Hero i Kosovës”. Kombi shqiptar mbijeton në trojet e tij shekullore.
Fëmijë e Xhevatit u rritën nën përkujdesjen e prindërve e në veçanti të bashkëshortes, dhe motrave e vëllezërve të tij, ku u edukuan me shumë dinjitet, për ta trasuar dhe ndjekur idealet e Xhevatit. Ashtu, me plot të drejtë shprehet poeti për Heroin e trashëgimtarët e tij; ,,Në kujtesë mbete i gjallë, ti je vetë Liria, emri yt nuk shuhet po RRON, tek Qëndresa, tek Jetmira!”
Qershor 2023

Kontrolloni gjithashtu

Universiteti “Hasan Prishtina”

Sadik Halitjaha: ATA QË NUK E DUAN EMRIN E HASAN PRISHTINES!

ATA QË NUK E DUAN EMRIN E HASAN PRISHTINES! Ata nuk e duan Republiken as …