Muhamet Asllan Gashi (10.6.1956 – 12.4.1999)

Muhamet Asllan Gashi (10.6.1956 – 12.4.1999)

I rritur dhe i edukuar në një familje të ndershme dhe atdhetare, dëshmori Muhamet Gashi do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar figurë komplete e një militanti, i cili me guximin, vendosmërinë dhe trimërinë e tij dha shembullin më të mirë se si duhet luftuar për lirinë e atdheut. Është njëri ndër ata që i dha emër dhe lavdi Grykës së Llapushnikut.

Muhameti u lind më 10. 6. 1956 në Llapushnik të Drenasit. Ishte fëmija i madh i Asllanit dhe Sofies të cilët kishin edhe tre fëmijë të tjerë: Miniren, Bedriun dhe Sanien.

Babai i Muhametit, Asllani kishte marrë pjesë në luftën e Kollashinit kundër hordhive çetnike serbe të Drazho Mihajlloviqit, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat hordhi kishin për qëllim ta shfarosnin popullësinë shqiptare në trojet e veta.

Katër klasat e para Muhameti i kishte vijuar në shkollën e Llapushnikut, ndërsa tetëvjeçaren e përfundoi në shkollën fillore “Jeta e re” të Komoranit. Pastaj regjistroi shkollën e mesme profesionale në Drenas, drejtimin e elektroteknikës. Në vitin 1974 hyri në punë në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku punoi deri në vitin 1990. Pas martesës me Zarife Mulaj nga Qëndresa e Drenasit, ngriti një familje me edukatë të shëndoshë.

Muhamet Gashi që i ri mbi kurrizin e vet provoi sa është e vështirë jeta në robëri. Edhe në ndërmarrjen energjetike ku punonte shovenizmi i menaxhmentit serb nuk mund të kamuflohej përherë, por shpërthente herë pas here, duke nxjerrë në sipërfaqe gjithë urrejtjen patologjike që ushqente okupatori ndaj shqiptarëve. Jo rrallë, Muhameti kishte reaguar kundër këtij shovenizmi, po ai ishte shpallur si njeri me ngarkesa nacionaliste.

Demonstratat popullore të vitit 1981 në qytetet e Kosovës ngritën në këmbë të gjitha shtresat e shoqërisë, duke përfshirë edhe klasën punëtore, e cila ishte mbështetësja kryesore e kërkesës për Republikën e Kosovës. Muhameti ishte njëri prej atyre që doli në rreshtat e parë të demonstruesve me parulla dhe pankarta në duar me kërkesat gjithëpopullore. Pas këtyre demonstrative vijuan vite të rënda për shqiptarët në Kosovë, me diferencime dhe largime të përditshme nga puna, prandaj Muhameti edhe përmes sindikatës së punëtorëve kishte shprehur mospajtimin me mënyrën se si organet e pushtetit dhe veglat e tyre në ndërmarrjen e tij po i trajtonin punëtorët shqiptarë, duke i diferencuar në bazë të përshtatshmërisë ideopolitike.

Vitet 1989/1990 shqiptarët e Kosovës u vunë përballë një fushate të egër serbe të spastrimit në baza etnike të të gjitha institucioneve e ndërmarrjeve. Meqenëse nga organet e pushtetit të kontrolluara dhe të përbëra nga serbët po cenohej çdo e arritur në Kosovë, që nga Paslufta e Dytë Botërore, pasuan demonstratat dhe protestat masive gjithandej Kosovës, për të kundërshtuar masat e apartheidit institucional dhe kombëtar, të instaluara në të gjitha poret e jetës. Në këto forma të reagimit, Muhameti ishte ndër të parët në komunën e Drenasit, që inicioi organizimin e protestave për kundërshtimin e këtyre masave të dhunës së pushtuesit.

Ndërsa, decenia e fundit të shekullit 20 ishte vazhdimësi e diskriminimit të hapur ndaj popujve joserbë në Jugosllavi e sidomos ndaj popullit shqiptar, të cilët ishin “fajtori kujdestar” për shkatërrimin e shtetit jugosllav, prandej të gjitha shtizat po thyheshin mbi kurrizin e tyre. Në këto rrethana, më 3. 9. 1990 Muhameti braktisi vendin e punës, pasi menaxhmenti serb i ndërmarrjes kishte kërkuar nga të punëtorët e saj ta nënshkruanin deklaratën e lojalitetit ndaj shtetit serb.

Ndërkohë, Muhameti ishte sëmurë prandaj kërkohej trajtim afatgjatë mjekësor, për ç‘arsye në periudhën e viteve 1995-1997 kishte shkuar dy herë për mjekim në Gjermani. Edhe pse kishte pasur mundësi dhe sugjerime edhe nga mjekët të qëndronte në Gjermani, megjithatë ai u kthye në Kosovë që ta ndante fatin me popullin e vet. Rrahjet, maltretimet, largimet nga puna, plagosjet, vrasjet dhe format tjera të dhunës së egër shtetërore serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, kulmoi në shkurt dhe mars të vitit 1998, kur në Likoshan, Çirez dhe Prekaz, brenda disa ditësh ndërmorën sulme barbare. Por në këto ngjarje u dëshmua edhe heroizmi i Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe i familjes së tij në Prekaz, i cili inauguroi fillimin e luftës çlirimtare, e cila nuk do të pushonte deri në fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi pushtuesin e egër njëshekullor serb.

Muhamet Gashi, së bashku me bashkëluftëtarët: Fatmir Gashi, Rafet Sopi, Elmi Sopi, Avni Gashi, Jahir Sopi, Nasuf Gashi, dhe shumë të rinj e të reja iu bashkuan radhëve të UÇK-së, të gatshëm për sakrificën sublime për lirinë e Kosovës.

Më 26 mars 1998 ai veshi uniformën e UÇK-së si pjesëtar i njësitit ”Pëllumbi”. Në qershor të atij viti, së bashku me rreth 50 bashkëluftëtarë të tjerë, Muhameti ia mësyu kufirit që ndante Kosovën me Shqipërinë politike për të siguruar armatim e municion. Mirëpo, militarët serbë kishin arritur të marrin informacione për këtë rrugëtim të luftëtarët e lirisë, prandaj kishin, bllokuar brezin kufitar dhe kishin vënë pritë mbi fshatin Mazrek. Për këtë arsye Muhameti ishte detyruar të kthehej mbrapa, ku ndërkohë armatoset me mitraloz, të cilin nuk do ta lëshojë nga dore deri në ditën e rënies. Për trimërinë dhe suksesin e treguar në luftimet e 8 e 9 majit, 29 majit dhe në ofensivën e 25 e 26 korrikut të vitit 1998 në Grykën e Llapushnikut emërohet zëvendëskomandant i Kompanisë së I-rë të Batalionit të III-të të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës.

Dëshmori Muhamet Gashi mori pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara rrëzë malit të Kozmaqit. Zjarri që villte gryka e mitralozit të tij ua kallte tmerrin forcave armike. Më 12 prill të vitit 1999, militarët serbë, pas granatimeve disaorëshe drejt pozicioneve të UÇK-së dhe popullësisë civile të strehuar nëpër gryka malesh, mësyu me këmbësori në drejtim të fshatrave Negrovc, Nënkala, Gullubovc, Poterk e vende të tjera rrëzë malit të Kozmaqit. Në këtë ofansivë u zhvilluan luftime të ashpra e të drejtpërdrejta në distancë të vogël. Në këto luftime, nga arma e armikut serb u godit për vdekje dëshmori Muhamet Gashi, mitralozi i të cilit pushoi krismat. Trupi i tij sot pushon në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë.

Muhameti ka lënë bashkëshorten Zyrafeten dhe fëmijët Mehdiun, Lenditën, Arditën, Alberditën, Asllanin, Liridonën dhe Albanën. Ministria e Mbrojtjes e QPKsë ka dhënë mirënjohje familjes së dëshmorit Muhamet Gashi. Mirënjohje pë dëshmorin kanë dhënë edhe Komuna e Drenasit dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …