Muhamet Aziz Dërvishi (27.11.1967 - 14.12.1998)

Muhamet Aziz Dërvishi (27.11.1967 – 14.12.1998)

Fshati Gradicë i komunës së Drenasit njihet nga këto anë dhe më gjerë në saje të Mehmet Gradicës e luftëtarit popullor Lec Gradica, i cili së bashku me disa komitë të tjerë, gjatë rrethimit që i kishte bërë xhandarmëria serbe, e përkrahur nga disa hafije shqiptare, në vitin 1918, bëri një rezistencë të fuqishme, duke lënë të vrarë shtatë pjesëtarë të forcave armike. Në këtë përleshje, siç dihet, ra edhe trimi Lec Gradica.
Në këtë fshat, më 27 nëntor 1967, lindi dhe edhe trimi i ditëve tona, luftëtari i paepur Muhamet Dërvishi. Ai ishte fëmija i tretë me radhë nga nëntë fëmijët që patën prindërit e tij, Azizi dhe Xhemilja. Shkollën fillore Muhameti e kreu në vendlindje – në Gradicë, ndërsa të mesmen në Qendrën e Arsimit të Mesëm në Drenas. Shpirti i tij rebelues hetohet që në njëvjetorin e demonstratave të vitit 1981, kur së bashku me disa shokë të shkollës së mesme merr pjesë në shpërndarjen e afisheve dhe shkruarjen e parullës “Kosova Republikë”. Këtë parullë ai e shkruan edhe në dërrasën e zezë të klasës, por rasti mbyllet falë gjeturisë së profesorit Kamber Dubovci.
Në formimin e personalitetit të tij dhe në urrejtjen e pushtuesit kishte ndikuar edhe përndjekja dhe burgosja e anëtarëve të familjes së ngushtë të Muhametit nga regjimi serbosllav. Kështu Ilaz Xhemajl Dërvishi në vitin 1945-47 dënohet me 7 vjet burg të rëndë nga Gjyqi i Qarkut të Pejës, me akuzën “jatak i banditëve”. Me po të njëjtën akuzë dënohet me 13 vjet burg të rëndë edhe Sadik Lah Dërvishi. Me po të njëjtën akuzë ishin dënuar edhe dajallarët e gjyshit të Muhametit, Bajram e Selim Zuka nga Likoshani. Të gjithë këta , këto dënime i kanë vuajtur në burgjet famëkëqija të Goli Otokut, Pozharevcit dhe të Nishit. Vesel Dërvishi, i afërt i dëshmorit, është vrarë në luftën e Drenicës.
Në vitin 1996-97, në stacionin e policisë në Drenas ishte maltretuar keq edhe babai i dëshmorit, Azizi, me pretekst të kërkimit të armëve. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e sociale në familje, Muhameti qe i detyruar të marrë rrugën e hidhur të mërgimit. Fillimisht gjen punë në Sarajevë, ndërsa më vonë shkon në Kroaci-Zagreb, ku menjëherë bie në kontakt me dajën e tij, Fehmi Lladrovci, nga i cili frymëzohet edhe më tepër për të vazhduar aktivitetin e tij ilegal patriotik në dobi të çështjes kombëtare.
Vitet e rënda 1989-1991 Muhameti i kaloi në Kosovë. Atëbotë, në mbarë Kosovën mbaheshin tubime e demonstrata kundër shtypjes së egër të regjimit serb mbi popullin shqiptar. Muhametin, në këto protesta do ta shohim herë si organizator i demonstratave në Drenas , herë si pjesëmarrës aktiv në ballë të tyre. Në demonstratat e përgjakshme të vitit 1990, që u zhvilluan te udhëkryqi afër stacionit të autobusëve e kur ranë heroikisht të rinjtë Enver Morina, Sahit Shala, Shani Morina e ku pati edhe shumë të plagosur, Muhameti, pa iu trembur syri nga forcat armike, që shtinin pa mëshirë mbi turmën demonstruese, ishte njëri ndër të parët që iu shkoi në ndihmë këtyre të plagosurve. Meqë ishte organizator i shumë demonstratave, tubimeve e i marsheve protestuese, bie në sy dhe zbulohet nga policia dhe nga qeveritarët lokalë të asaj kohe, kështu që vazhdimisht përcillej. Në shkurt të vitit 1990, së bashku me Ramiz Lladrovcin dhe me një shoqe nga Polluzha, në hyrje të Drenasit, afër Fabrikës së Konfeksionit, ndalohen nga policia e atëhershme, e cila ua kërkon letërnjoftimet. Këta, duke qenë të vetëdijshëm se kërkoheshin nga policia, në vend të letërnjoftimeve nxjerrin revolet. Të dyja palët mbeten të shtangur, duke shikuar njëra-tjetrën. Policia, duke parë se këta kishin vendosur të rezistonin, kthen rrugën për në Drenas. Që nga ky moment denoncimi për këta tre persona zyrtarizohet.
Meqë ishte lëshuar edhe fletëarresti për të dhe qëndrimi në Kosovë ishte bërë i rrezikshëm, Muhameti vendos të jetojë dhe të punojë në ilegalitet dhe në nëntor të vitit 1991 shkon në Gjermani, duke kaluar ilegalisht këtë kufi. Atje, kohë pas kohe, gjen punë të ndryshme, por për asnjë moment nuk e harronte familjen dhe Kosovën e robëruar. Atje, në Perëndim, Muhameti bie në kontakt me grupet dhe veprimtarët e UÇK-së, të cilët e bindin se në Kosovë duhej të organizohej një rezistencë e armatosur , se me llafe e protesta tashmë ishte ngopur populli i shumëvuajtur i Kosovës.
Më 6 maj 1998, Muhameti kthehet në vendlindjen e tij, në fshatin Gradicë . Ende pa u çmallur mirë me familjen, me farefisin e me shokët, ai me pushkë në dorë lajmërohet në Komandën ushtarake, përsëri te daja i vet, trimi e patrioti i dëshmuar Fehmi Lladrovci. Me të arritur në Komandë, sistemohet në pikën strategjike te Shavarinat. Aty edhe bën betimin, se do të luftojë deri në vdekje së bashku me shokët për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit serbosllavë. Përveç Muhametit, nga familja e ngushtë e tij në UÇK kanë marrë pjesë edhe vëllai i dëshmorit, Ismeti, si dhe Bedri Mursel Dërvishi e Kadri Qazim Dërvishi.
Ndërkohë, derisa mbante pozicionin te Shavarinat, afër Ferronikelit, ku ishin të stacionuara forca të mëdha policore-ushtarake serbe me teknikë më moderne, shpërthen lufta në Grykën e Llapushnikut. Muhameti vullnetarisht së bashku me komandantin Fehmi Lladrovci e Sabit Lladrovcin iu shkon në ndihmë luftëtarëve të lirisë. Ai, së bashku me trimat e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftoi heroikisht, duke i zmbrapsur dy herë forcat armike, të cilat me armatimin më modern të kohës kishin sulmuar këtë grykë. Përveç ofensivës në Grykën e Llapushnikut e të Gjergjicës, Muhameti, siç rrëfejnë shokët e bashkëluftëtarët e tij, Ramadan Kurrumeli, komandant i Kompanisë së Tretë të Batalionit të Parë të brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, ka treguar një heroizëm të pashoq edhe në luftimet që janë zhvilluar te Shavarinat, më 22 shtator 1998 dhe në ofensivat që ishin ndërmarrë nga forcat serbe në disa fshatra rrëzë Çiçavicës.
Më 22 shtator 1998, Muhamet Dërvishi ka marrë pjesë në betejën që është zhvilluar te Shavarinat. Muhameti ka qëndruar me pushkë në dorë në istikame dhe ashtu në këmbë ka shtënë pandërprerë. Lufta zhvillohej në një distancë shumë të afërt. Ushtarët kishin zënë pozicionet, secili në vendin e vet. Komandanti Fehmi Lladrovci kishte dhënë urdhër që të mos lëshohej Pika. Meqë kanalet shtriheshin edhe në terren malor, forcat serbe kishin arritur fshehurazi t’i afrohen kanalit nga krahu i djathtë. Kur luftëtarët e lirisë i hetojnë këto forca, fillon lufta me hedhjen e bombave, ku, siç tregojnë bashkëluftëtarët, vetëm Muhameti i ka hedhur mbi 40 bomba. Forcat policore-ushtarake serbe, duke parë pathyeshmërinë e kësaj pike, tërhiqen nga ky aksion për të zhvilluar ofensivë nga të dy anët e frontit, nga trafoja dhe nga Hekurudha-nga lumi Drenica. Vetëm në orët e pasdites, kur nga krahu i majtë forca të mëdha serbe arrijnë të depërtojnë deri te shkolla e Dobroshecit, rezistenca në këtë pikë ishte e pamundur. Duke parë një rrezik të tillë, komandanti Fehmi Lladrovci urdhëron të lëshohet pika dhe të tërhiqen ushtarët, ndërsa ai vetë së bashku me shoqen e jetës, Xhevë Lladrovci e luftëtaren Fatime Hetemi nga Shala e Bajgorës, pas një lufte titanike që zhvillojnë aty kundër hordhive serbe, bien në altarin e atdheut, bien për të hyrë në përjetësi.
Pasi në atë kohë ndër luftëtarë të lirisë ndihej mungesë e madhe e armatimit, më 2.11.1998, me urdhër të Komandës, Muhameti me një grup shokësh, pas rrugëtimit të gjatë e shumë të mundimshëm e me rreziqe, kalojnë kufirin dhe hyjnë në Shqipëri. Pasi furnizohen me armë, nisen për në Kosovë, por moti i lig dhe dimri shumë i ashpër i pengojnë që ta kalojnë kufirin për në Kosovë. Tërë armatimin që e kishin marrë nga Shqipëria, ky grup e lë në vendin e quajtur Stanet dhe kthehen gjysmë të ngrirë në objektet ushtarake në Cahan të Shqipërisë, për t’u ngrohur. Kur shkojnë për t’i marrë armët, hetojnë se armët më të mira ua kishin vjedhur grupe kriminelësh. Muhameti, siç rrëfejnë shokët që ishin me këtë grup, Xhemajl Muja, Mehmet Fazliu, Nazmi Istogu e të tjerë, nuk pranon që vetëm me një “dhjetëshe” të kthehet në Kosovë, dhe vendos që prapë të kthehet në Shqipëri për t’u furnizuar me armë më të mira. Pas qëndrimit 5 javor në Shqipëri, siç dëshmojnë bashkëluftëtarët e lartpërmendur, Muhameti armatoset dhe përgatitet për t’u kthyer në Kosovë me grupin e Mujë Krasniqit – komandant Kapuçi. Ky grup niset për në Kosovë më 14. 12.1998 dhe pasi kalon zonën kufitare bie në pritën e forcave serbe. Pas një rezistence disaorëshe, Muhameti bie dëshmor më 14.12.1998, në Malet e Gorazhupit, së bashku me 35 luftëtarë të tjerë të UÇK-së. Ja si e përshkruan këtë moment tragjik bashkëluftëtari i Muhametit, Nazmi Istogu nga Polluzha, i cili i fundit ishte ndarë nga Muhameti: “Më 14 dhjetor 1998, në orën 2 të mëngjesit , në vendin e quajtur Gorazhup, në zonën kufitare Shqipëri-Kosovë, kemi qenë 140 veta të brigadave të ndryshme, që kemi shkuar në Shqipëri për armatim. Me të hyrë brenda territorit të Kosovës, në një thellësi rreth 1 km., kemi hasur në pritën e forcave serbe. Para se të hasnim në pritën e dytë, grupi ynë, për shkak të terrenit të vështirë, motit të lig, errësirës dhe borës së madhe, u nda më dysh, duke mos e njohur terrenin. Papritmas, dëgjuam krisma nga prita që ishte vendosur para nesh dhe menjëherë e kuptuam se kolona që ishte ndarë nga ne kishte rënë në pritë. Komandant Mujë Krasniqi me nja 5-6 luftëtarë shkoi për t’iu dalë në ndihmë luftëtarëve të tjerë. Kur u kthye, Muja tregoi se s’kishte mundur të takohet me asnjë luftëtarë.
Aty kemi biseduar se si të dalim nga ky rrethim dhe, me sugjerimin e komandant Kapuçit, vendosëm që ne çka ishim në atë grup të kthehemi përsëri në Shqipëri. Pak para se të kalonim zonën kufitare dhe të hynim në territorin e Shqipërisë, hasëm në pritën, e cila ishte vendosur në një afërsi prej 50 metrash. Rafalet janë shkrepur nga ana e majtë dhe nga këto krisma kanë rënë: Mujë Krasniqi, Rifat Mëziu, Ali Krasniqi e të tjerë, kurse unë e Muhameti me këtë rast kemi shpëtuar. Ne të dy kemi vazhduar luftimet edhe disa orë. Në bazë të rezistencës, ushtria serbe e kuptoi se kishim mbetur pak dhe kërkoi nga ne që të dorëzoheshim, por unë e Muhameti vendosëm të luftojmë deri në vdekje. Me Muhametin ishim afër njëri-tjetrit dhe u morëm vesh që t’i ndërrojmë pozicionet për t’iu shmangur rrezikut. Unë isha i plagosur në gishtin e madh të dorës së djathtë. Ashtu i plagosur jam lëshuar teposhtë në një greminë. Kur rashë poshtë e pashë se Muhameti kishte mbetur lart ende duke luftuar. Ai ka rënë me siguri gjatë tërheqjes, e unë mundësi për t’u kthyer nuk kisha”, përfundon rrëfimin Nazmi Istogu.
Xhemajl Muja nga Gradica, ushtar i UÇK-së, ka rrëfyer po kështu rastin e rënies në pritë të luftëtarëve të lirisë.
Sipas dëshmive të bashkëluftëtarëve Ramadan Kurrumeli, komandant i Kompanisë III, Batalioni I, i brigadës 114, pastaj Arsim Kurrumeli, Bedri Zuka, Rexhep Morina, Selatin Kurrumeli, Petrit Morina, Mehmet Isuf Fazliu, etj., Muhameti luftoi trimërisht, madje jashtë istikameve ku qëndronte në këmbë, duke qëlluar armikun me pushkën e tij.
Rënia e 36 dëshmorëve u prit me dhembje të madhe nga mbarë populli shqiptar, e këtë e dëshmon edhe pjesëmarrja masive në varrimin mortor më 21. 12. 1999, të mijëra qytetarëve nga të gjitha trevat shqiptare. Varrimi i këtyre 36 dëshmorëve u bë në një vend të përbashkët, në Polac të Skënderajt, me nderime ushtarake.
Pas rënies, Muhameti është nderuar me një varg mirënjohjesh nga institucionet ushtarake e politike: nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës-Ministria e Mbrojtjes-, Batalioni i Parë i brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” i jep Mirënjohje, Këshilli Komunal i Drenasit, me rastin e Ditës së çlirimit i jep Mirënjohje, Lidhja Demokratike e Kosovës-Dega në Drenas-me rastin e 10-vjetorit të punës i jep, po ashtu, Mirënjohje.
Sot trupi i tij prehet së bashku me 35 dëshmorët e tjerë në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac të Drenicës. Këto varreza do t’ ua përkujtojnë brezave që do të vijnë dhe të tjerëve që do të kalojnë atypari, se dikur këta trima rrënuan njëherë e përgjithmonë kufirin ogurzi, që kishte ndarë përgjysmë zemrën e atdheut. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …