valamobile
kek
mbpzhr grante
MIT
Airport Adem Jashari
Fillimi / Dëshmorët / Mustafë Ismail Llapashtica (24.3.1954 – 18.4.1999)
Mustafë Ismail Llapashtica (24.3.1954 - 18.4.1999)

Mustafë Ismail Llapashtica (24.3.1954 – 18.4.1999)

Familja e Mustafë Llapashticës është e shpërngulur në Kosovë prej fshatit Llapashticë i Leskofcit. Rjedh nga familja e Sahit Pashë Sopjanit. Sikundër dihet, sipas traktatit të Shën Stefanit, Shqipërisë iu morën shumë territore dhe iu dhanë Serbisë. Leskofci me rrethinë përfshihej në ato territore që i faleshin Serbisë dhe i merreshin Shqipërisë. Qysh në atë periudhë fillon për banorët e viseve veriore shqiptare, në kufij me ardhacakët serbë, periudha e kolonave gojëkyçura të refugjatëve shqiptarë. Kur banorët e Llapashticës u detyruan të bënin jetën e refugjatit, Sahit Pasha, i cili nuk pranoi të lëvizte prej vendit edhe pse ishte në fund të jetës së tij, u tha: Kudo që të shkoni, mbani për llagap emërtimin e fshatait se do të vijë një ditë dhe në mos bijtë tanë, niprit apo stërniprit tanë, do t’u kthejnë në këto troje. Mbani mbiemrin Llapashtica, pasi edhe pse nuk jeni fare fis me njëri tjetrin, atje ku të veni do ta ndjeni vehten farefis dhe ta marrin vesh se jeni kushërinj dhe ashtu të jetoni.
Edhe ata ashtu bënë. Me t’u vendosur si muhaxherë në fshatin Matiçan, ku ngritën edhe kolibet për t’u strehuar, u thirrën me mbiemrin Llapashtica. Mirëpo doli Beu i Spahive që u fali tokë për shtëpi e jetesë në Gallap, ku vanë e u sistemuan të ardhurit nga Llapashtica dhe krijuan fshatin Dyz të Besianës.
Prej atëherë vazhdoi për më shumë se një shekull të persekutohen nga serbët këta refugjatët e përjetshëm, derisa nipërit dhe stërnipërit e tyre vendosën një ditë të flijohen për Kosovën dhe t’i japin fund një herë e përgjithmonë jetës së refugjatit në trojet e tyre. Ata u ngritën në një luftë të pabarabartë kundër shtetit më të fuqishëm ushtarakisht në Ballkan, Serbisë, duke krijuar një ushtri heroike dhe trime, UÇK-në që I tha Serbisë: Ktheu prapa. Majft ke bërë si ke deshur me popullin tonë. Dhe ashtu u bë.
Një nga këta djem dalëzotes së Kosovës e të UÇK-së, ishte edhe stërnipi i Sopjanëve të Llapashticës, Mustafë Ismail Llapashtica, i cili ka lindur në fshatin Dyz. Babai i Mustaf Llapashticës, Isamjli kish qënë ndër mësuesët dhe intelektualët e parë të Gallapit, i cili në shumicën e fshatrave të kësaj malësie kish hapur shkollat e para shqipe dhe përgatiste edhe mësues. Dashurinë për Kosovën ai ua ushqeu jo vetëm fëmijëve të tij, por tërë rinisë ku ai dha mësim, derisa e ndaluan të ushtronte atë profesion.
Ashtu sikundër kish luftuar stërgjyshi i tij Hyseni, ashtu bëri edhe gjyshi i Mustafës, Ibrahimi, kundër ushtrive serbe në vitet e para të shekullit të XX dhe në vitet e para të dhjetëvjeçarit të tretë të po atij shekulli, 24 vjet pa ndërprerje. Në ato vite iu pushkatuan tre vëllezër të gjyshit dhe tre kushërinj të parë nga Serbia mbretërore. Por nuk ish e thënë të përfundonte me aq. Gjyshit të tij, Ibrahim, iu desh të luftonte edhe në Luftën e Dytë Botërore, duke u reshtuar në krahun e nacionalistëve, me në krye Shaban Polluzhën. Nga që kish vuajtur shumë e kish ndjerë që vetëm shkollimi do t’i nxirrte në dritë shqiptarët, ndaj dhe Ibrahimi i dha shkollë, Ismailit, djalit të tij, i cili punoi arsimtar deri në vititn 1957, kur i arratiset njëri prej vëllezërit në Shqipëri.
Shkollën fillore Mustafa e kreu në fshatin e lindjes, Dyz, ndërsa atë 8-vjeçar në Batllavë. Nuk pati më mundësi të vazhdonte më tej, pasi babai i tyre nuk mund t’i ushqente me rrogën e vogël të konduktorit të autobuzit. Kështu Mustafa u angazhua me profesionin e bujkut në fshat, paralel me atë të përhapësit të trakteve për Kosovën Republikë, në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë. Si profesionin e bujkut, ashtu edhe atë të patriotit, nuk i ndërpreu për asnjë moment, për një periudhë gati 35 -vjeçare, derisa ra duke mbrojtur popullin e tij që të mos iknin kurrë më refugjatë.
Duke u rritur në moshë dhe duke u rritur edhe në mendime e kërkesa politike, ai dhe shokët e tij i rritën pretendimet. Në vitet shtatëdhjetë, pasi Kosova fitoi statusin e Krahinës Autonome, Mustafa me shokë filluan të punojnë për të bindur popullin e Kosovës se jeta dhe siguria e vërtetë e këtij populli mund të realizohen vetëm me bashkimin kombëtar. Mendimet filloi t’i vinte në jetë, duke shpërndarë literaturë politike-propagandistike ilegale: Lajmëtarin e Lirisë, Fronti Kuq Popullor, Liria, Punëtori, Zëri i Kosovës e deri te Çlirimi, deri në ditët e fundit të jetës së tij. Mustafa nuk mjaftohej vetëm me shpërndarjen e literaturës patriotike, por e studjonte dhe e përvetësonte atë. Nuk la oda të Dyzit dhe të fshatrave për rreth, pa shkuar dhe pa i propaganduar idetë revolucionare të atyre kohërave, së bashku me Ahmet Shaip Haxhiun e Fehmi Berishën. Ai u bë agjitator, sa që edhe arsimtarët ia kishin zili oratorinë edhe pse kish vetëm tetë klasë shkollë.
Në mars-prill të vitit 1981, shpërthyen demostratat në të gjithë Kosovën. Shumica e popullit ishin bërë bashkë. Të gjithë ata mendonin njësoj. Kjo ishte fitorja e parë e madhe e organizatave ilegale. Pushteti i atëhershëm shqiptaro-serb iu kundërvu popullit me dhunë. Dhuna kërkon dhunë. Mbas një jave revolucionarët si Mustafë Llapashtica me shokë iu kundërpërgjigjën më fuqishëm. Krahas parullave politike ata u armatosën edhe me armë zjarri. Demostruesit duhej të mbroheshin nga çdo reagim i pushtetit.
1 prill 1981. Mustafa, pasi kish marrë me vete disa nga bashkfshatarët e Dyzit dhe fshatrave përreth, shkojnë në Besianë. Mu para hundës së policisë, para Komunës së Qytetit, hap thesin me pushkë e automatikë dhe, sëbashku me Nazmi Llapashticën e Sabri Ukën, ua shpërndan ato më guximtarëve, duke mbajtur edhe nga një automatik për vete. Ngrihet në një vend më të lartë dhe hedh parullën: Kosova Republikë! Populli bëhet edhe më shpërthyes. Nuk dallohesh se kush ishte më trim, djemtë apo vajzat. Në krye të kollonës demostruese u vu gjimnazistja Gjyle Krasniqi, e mbiquajtura Shota e Llapit, e cila mbante në duar Flamurin Kombëtar. Të gjithë demostruesit thërrisnin në një gojë: “Republikë Kushtetutë – Ja me Hatër, Ja me Luftë”, “Trepçia punon – Beogradi ndërton”, “Bashkim – Unitet, krejt Kosova po thërret”, “Rroftë Enver Hoxh!”, “Poshtë borgjezia!”, “Rroftë Adem Demaçi!”, “Rroftë Liria!”. Të moshuarve u rridhnin lot kënaqësije dhe gëzimi. Djemtë dhe vajzat e tyre po bënin betimin para nënës Shqipëri.
Pas demonstratave të zhvilluara në Besianë Mustafë Llapashtica kalon në ilegalitet, ndërsa i vëllai i tij, gjimnazisti Ibush Llapashtica, kapet duke shpërndarë trakte dhe dënohet me një vit burg. Në shtëpinë e tij vinë e strehohen ilegalët Gjyle Krasniqi dhe Pajazit Jashari.
Demostrat kishin nxjerrë një mësim të madh: Të gjitha organizatat ilegale duhej të bashkoheshin në një të vetme. Duke bashkpunuar me Bajram e Ali Ajetin, Bajrush Behramin, etj., ata nuk e ndërprenë këtë aktivitet. Takimet më të shpeshta i mbanin te kafenetë “Afërdita”, “Shkëndija” të Besianës dhe në Ventonis të Gllavnikut. Nuk ishte momenti për pluralizëm patriotik. Shtatë muaj ilegal, duke u strehuar sa te njëra shtëpi te tjetra: te shtëpia e dëshmorit Shaban Shala në Letanc, te Jakup Zullufi në Prishtinë, te Hakif Krasniqi në Makofc, te Rahman Krasniqi te lagja e Behramve, te Sabri dhe Maliq Uka në Dyz dhe hera herës shkonte edhe në shtëpi, në familje, vëllezërit e tij: Ganiu, Naseri dhe Ibushi (pasi del nga burgu) bënin roje tërë natën në kufijt e hyrjes në fshat. Ndërkohë që familjet e tjera strehonin ilegalin Mustafë, shtëpia e tyre në Prishtinë strehonte për gati nëntë muaj rresht Besnikun dhe Fisnikun (Nuhi Berishën dhe Rexhep Malën të cilët i solli Kadri Osmani dhe Bajram Ajeti dhe ku shkonte dhe i takonte Enver Topalli. Më vonë ajo shtëpi u kthye në konvikt falas për studentët shqiptarë nga Presheva, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe nga Kosova, të cilët nuk pranoheshin në konviktet e Universitetit të Prishtinës, pasi vini nga familjet me “njollë” në biografi.
Një natë, ndërkohë që vëllezërit dhe i ati kishin shkuar në Prishtinë, ilegali Mustafë vjen pa lajmëruar në shtëpinë e tij në fshat. Mirëpo spiunët nuk flinin. E panë dhe njoftuan. Mustafa pasi hëngri darkë me motrat Bedrie dhe Shukrie, ai ra të flinte në odën e burrave, i veshur, duke e vënë automatikun në kokë, ndërsa motrat flinin në shtëpi.
Shtëpia me 5 dhoma, të gjitha paralel me njëra tjetrën, me një hajat përpara dilnin me dyer në hajat dhe dritaret i kishin vetëm nga ana e dyerve. Kështu që njësia e policisë speciale, vjen dhe futet drejt e në oborr, në mesnatë. Trokitin në dyert e shtëpisë. Dalin motrat, të veshura me rroba nate. Përballë tyre një police serbe. “Milicia, kërkojmë Mustafën”. Motrat tronditen. “Jemi vetëm prisni të vishemi”.
Mbyllin derën. Si të bënin? Si ta shpëtonin vëllanë, Mustafën? “Të rrihemi me policen, i thotë Bedrija Shukries. Policët do të merren me ne dhe Mustafa mund të ikë”. Hapin derën dhe e kapin policen për qafe dhe e rrëzojnë në tokë, duke i rënë me grushta e shqelme. Vinë policët e tjerë. Nis poterja. Zhurma zgjon Mustafën dhe del me vrap për t’u shkuar në ndihmë motrave. Porsa del në qoshe të odës, ballëpërballë me policët. Kthehet me nxitim dhe merr automatikun. Te këndi i murrit e priste polici. Policit i vendos tytën e automatikut në gjoks. Polici befasohet: “Komandant! Automatik” dhe polic “trimit” i bie të fikët. Mustafa i rrëmben automatikun, i heq karikatoren me fishekë, e përplas atë, duke e flakur tutje dhe ikë me vrap nëpër përroin e Koliqit dhe kalon në mal.
Policia areston motrat dhe i shoqëron për në Mitrovicë. I nxorrën në gjyqin hetues të policisë dhe i dënuan me nga 50 ditë burg, për rrahje të polices.
Mustafa detyrohet të arratiset në Shqipëri. E kalon kufirin në majën e Gjiravicës, mbi Junik, në orën 22, datë 11 korrik 1984. Deri në kufi e shoqëruan vëllai i tij, Ganiu dhe dhëndri Rrahman Krasniqi, duke e përcjellë me sy derisa u humbi nga shikimi. Pas 20 ditësh autoritetet shqiptare e kthejnë përsëri, duke e porositur të mbrohej se u arratis nga frika që kish armë pa leje dhe të mos thoshte as gjë tjetër. Kështu bëri. Për mungesë të provave të tjera e dënuan dy muaj për armëmbajtje pa leje dhe e liruan së bashku me motrat. Një familje e tërë, në burg. Megjithatë mbahej nën mbikqyrjen e përherëshme të policisë. Mustafa nuk e ndërpret aktivitetin patriotik. Vazhdon të shpërndajë literaturë politike të ndaluar.
Në dhjetor 1994, policia vjen përsëri për të arrestuar Mustafë Llapashticën, pasi kish rënë në sy të agjentëve se po grumbullonte armë dhe bënte propagandë për luftë të armatosur. Bashkpunonte me shokët e vjtër, por edhe me më të tjerë, sikundër ishte Behxhet Brajshori, Agron Rrahmani, Zahir Pajaziti, Salih Salihu, Rrahman Dini e plot të tjerë.
17 qershor 1987. Ora 21.00. Arrestohet duke kryer shërbimin ushtarak, i vëllai i tij, Ibush Llapashtica, si antar i grupi ilegal “Heronjtë e Rinj”, pasi ishin arestuar disa ditë më pare, disa pjestarë të grupit Ibushi dënohet 6 vjet burg.
Në maj të vitit 1991 lirohet nga burgu 10-vjeçar Salih Salihu, i cili mundëson njohjen e Mustafë Llapashticës me Zahir Pajazitin, duke u bërë antar i njësitit të tij dhe ku bënin pjesë: Zahiri, Salihu, Mustafa, Agron Rrahmani, Dalip Alshiqi etj. Porsa Mustafa pranoi të kryente aksione të armatosura kundër policisë serbe, u vendos që të sulmohej ptrulla e policisë që patrullonte rrugën: Llozhan – Batllave – Orllan. Prita u organizua te qafa e Shakovicës (Suka), duke u pozicionuar në anën e sipërme të rrugës, në largësi prej saj 30 – 40m, duke shfrytëzuar për maskim shkuret e vijës së parë. Aksioni u krye në orën 21, në 18 maj 1991, ku morën pjesë Mustafë Llpashtica, Salih Salihu, Dalip Alshiqi dhe Agron Rrahmani. Me mbëritjen e kombit të policisë përballë pritës, të katër ilegalët hapën zjarr të njëkohëshëm me automatikë. U vra shoferi dhe kombi devijoi nga rruga, duke shkuar drejt lumit. Ilegalët tërhiqen për gjatë malit.
Pas aksionit të parë pregatitet një trakt nga Agron Rrahmani dhe shtypet e shumëzohet nga ai në 500 kopje dhe shpërndahet kryesishtë nga Mustafë Llapashtica, pothuajse në të gjithë qytetet e Kosovës dhe fshatrat e Gallapit. Në atë trakt bëhej thirrje popullit shqiptar që të mos i dërgonte djemtë ushtarë. Trakti nënshkruhej: Ushtria Çlirimtare Bashkuese Shqiptare
Aksionin e dytë e ndërmarrin në fillim të qershorit të atij viti, në qytetin e Besianës, te Stacioni i Trenit, përballë kafenesë, e cila preferohej nga policia serbe. Aksionin e kryesonte Zahiri dhe morën pjesë Mustafa, Salihu dhe Agroni. Në orën 23.30 policët dolën të dehur nga kafeneja dhe ranë nën breshëritë e katër automatikëve, dy prej tyre vdesin në vend, ndërsa një oficer i sigurimit mbetet i plagosur rëndë. Aksionistët tërhiqen me shpejtësi në drejtim të kishës, te pishat në fshatin Ballsh (Ballofc).
Aksionin e tretë e ndërmarrin në fund të muajit qershor 1991, duke i zënë pritë patrullës së policisë te liqeni i Batllavës, me të njëjtën metodë si në rastin e parë. Me arritjen e kombit të policisë, përballë pritës, u hap zjarr prej Mustafës, Salihut dhe Enver Sulejmanit nga Gërdovci. Furgoni pasi bie nën breshërinë e armëve u përplas për shkëmbi dhe meqënëse nuk pati reagim nga policia, tregoi se policët ishin plagosur ose vrarë dhe ilegalët u tërhoqën në drejtimin: Plepat, Koliq dhe te shtëpia e Mustafës në Dyz.
Meqënëse aksionet ishin kryer me sukses dhe ishte fituar përvoja e nevojshme, shtabi i tyre vendosi që të pregatiteshin 10 deri 11 baza për stërvitje për vete dhe të shokëve të ardhëshëm. Një nga këto baza ishte edhe shtëpia e Mustafë Llapashticës. Gradualisht atë verë njësiti arriti rreth 50 veta dhe që të gjithë kishin kaluar nëpër stërvitje të tilla. Shtëpia e Mustafës u bë baza më e rëndësishme, ku strehoheshin ilegalët kryesorë si: Zahiri, Agroni, Salihu, Naim Kadriu, Enver Osmani, Enver Sulejmani, Rëfik Shala etj.
Gjatë kohës që kryenin stërvitjen intensive u ndërmor edhe një aksion tjetër, në afërsi të fshatit Livadhi, në magjistralen Besianë – Merdar. Edhe ky aksion u ndërmor kundër patrullës së lëvizëshme policore me veturë në ora 23.00, duke u pozicionuar barkas në anë të rrugës. Edhe në këtë aksion morën pjesë Zahiri, Mustafa, Agroni dhe Salih Saliu. Të katërtit hapën zjarr njëherësh kundër veturës, e cila ndaloi në vend dhe u dogj, ndërsa atentatorët u tërhoqën me kërcime dhe zvarritje në drejtim të fushës dhe pas dy orësh arritën në bazë, në shtëpinë e Agron Rrahmanit. Në gjysmën e dytë të vitit 1991 u kalua me stërvitje komplekse bazë skuadre si dhe me regullimin e bazës stërvitore në lagjen Peraj të fshatit Koliq, shtëpitë e së cilës ishin të braktisura nga banorët.
Armiku gjatë vitit 1992 filloi reprezalie të ashpra të shoqëruara me kontrolle në front të gjerë për armë, që mund të ishin fshehur nëpër shtëpitë e fshatarëve. Populli filloi të frikësohej. Ato kontrolle shoqëroheshin edhe me propagandën pacifiste të LDK-së. Për t’i dhënë popullit kurajo, në verën e vitit 1992, Zahir Pajaziti dhe Mustafë Llapashtica ndërmarrin një aksion kundër policisë dhe ushtrisë serbe që vinin me mjete të motorizuara në drejtimin perëndimor të Gallapit. Për këtë organizohen: Zahiri, Mustafa, Jetulla Islami, Nazmi Llapashtica dhe Sabri Uka. Zakonisht policia i kontrollonte shtëpitë një nga një. Këta mobilizuan shumë fshatarë, duke u thënë se policia ka ardhur për terror, prandaj t’i dalim popullit në ndihmë. Ata lëviznin paralel me rrugët, nëpër pyll. Kur policia kontrolloi shtëpinë e parë në Bellopojë, këta hapën zjarr në ajër, në pyll. Policia u detyrua të tërhiqej pa e përfunduar aksionin. Kjo i dha kurajo gjithë popullit të zonës.
Në vitin 1993 ndodhën një sërë arestimesh, si rjedhojë edhe grupi e reduktoi aktivitetin dhe u mor kryesisht me grumbullim armatimi, literature, propagandë dhe stërvitje. Në 17 nëntor 1993 Mustafa martohet me Vahide Namanin, ku u lindën Dardana, Doruntina dhe Gentrida (të cilat dëshmori i la 4 dhe 3 vjeçe).
Në janar 1994 policia filloi përsëri aksionin për grumbullimin e armëve. Atje ku u dorzohej një armë, kërkonin të dytën, e kështu me radhë. Kush nuk dorzonte armë torturohej. Mustafa ra disa herë viktimë e këtyre torturave. U detyrua të ndërronte vendbanimin. Shkoi në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe në Dyz ktheu Ibushin që të rrinte me motrat. Deri në muajin maj qëndroi në Prishtinë, derisa policia u mashtrua se Mustafa kish shkuar jashtë Kosove. Mirëpo policia nuk reshti. Ajo fillot’i thërriste në polici të gjithë shqiptarët, duke i marrë në intervista 12-orëshe.
31 Janar 1997 bie Zahir Pajaziti. Në nëtor 1997 del haptas në popull UÇK-ja. Në mars 1998 ndodhi lufta e Prekazit. Shpërthu lufta në Kosovë. Mustafë Llapashticës i erdhën momentet që ai dhe shokët e tij kishin mbi tre dekada që po i pregatisnin. Filloi nga grumbullimi intensiv i armëve dhe propaganda e hapur në popull për luftën.
Në qershor 1998 në fshatin Dyz krijohet njësiti luftarak, në varësi direkte të nënzonës së Llapit. Luftëtarët e parë të njësitit ishin: Mustafë Llapashtica, Ibush Llapashtica, Dalip Alshiqi, Sabri Uka, Behxhet Brajshori, Sadri Islami. Mustafa nuk u kënaq. Duhej të rriteshin radhët e luftës çlirimtare, ndaj dhe u ve detyrë Behxhet Brajshorit dhe Dalip Alshiqit të krijonin njësitet e tyre në Sharban të Epërm e të Poshtëm.
Kur nënzona kalon në nivelin e Zonës së Llapit, përsëri njësiti i Dyzit varet drejtpërsëdrejti nga Zona, për shkak të pozicionit gjeografik të tij. Nuk kish kaluar as edhe dy javë që krijohet njësiti, dhe ndërmerr aksionin e parë nën emblemën e UÇK-së, te qafa e Shakovicës, ku goditet një patrullë policie dhe asgjësohet e gjitha.
Kaloi periudha e verës së vitit 1998 pa luftime të tjera në zonën e Llapit dhe Gallapit. Në nëtor 1998, kur në zonën e Llapit kishin nisur luftime të ashpra, Mustafë Llapashtica vendos të ndërmarrë i vetëm një sulm kundër një patrulle ushtarake. Donte të provonte se ku ishte ndryshimi i policisë me atë të ushtrisë serbe. Godet me murtajë dore një xhip ushtarak plot me oficerë e nënoficerë serbë. Kjo e bindi edhe më shumë për fitoren. Xhipi dhe tërë ushtarakët që ndodheshin në të u shkrumuan. Aksioni tronditi ushtrinë serbe, por shqetësoi edhe komandën e zonës nga që donin ta dinin se kush e kreu.
Në fillim të muajit mars 1999 njësiti si dhe tërë banorët e fshatit Dyz kishin mbetur pa ushqim. Nga Zona u kthye përgjigje se duhej ta siguronin vet. Priteshin sulme të armikut, por edhe shpërngulje të popullsisë. Komandant Mustafë Llapashtica merr informacionin se magazinat e Zhitia Komerc, në Lluga, ishin plot e përplot me miell, por nuk mund të shkohej atje, pasi ishin ngjitas me asfaltin e magjistrales Prishtinë – Besjanë, e cila në çdo moment të ditës e të natës mbahenj nën kontrollin e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë. Askush nuk guxonte të shkonte. Komandant Mustafa vendosi dhe urdhëroi që të nesërmën, më 5 mars, orën 3. të pregatitej traktori dhe katër luftëtarë të armatosur të vinin me atë. Traktorin e drejtonte vet, duke e mbajtur automatikun në gjoks. në orën 5. mbriti në Lluga te magazinat. Theu dyert e saj. Ngarkoi 21 kuintal miell edhe pse patrulla e ushtrisë serbe vazhdonte kalime të herëpasherëshme. Shokët ngarkonin, ky ruante me automatik, i maskuar. Populli ishte pa bukë. Duhej rrezikuar. Kjo trimëri e Mustaf Llapashticës u dha kurajo edhe njësive të tjera dhe kështu gjatë gjithë natës tjetër u trasportua në mal tërë magazina e Zhitia Komerc-it për popullin dhe luftën.
Asokohe krijohet Brigada 153. Njësiti i Dyzit kaloi në vartësi të drejpërdrejtë të shtabit të brigadës. Mbi bazën e njësiteve që ishin krijuar nga shokët e Mustafës, sipas porosive të tij, u krijua batalioni i Parë i br. 153 të UÇK-së, ndërsa njësiti i Dyzit, përsëri mbeti autonom. Atij njësiti iu ngarkua detyra të mbronte hapësirën që krijohej midis vijave kufitare të Br151 dhe 152, por gjithmonë duke i marrë detyrat nga komanda e Br 153. Për të marrë këtë detyrë ai u thirr në shtabin e brigadës. Nuk e mbante vendi nga gëzimi që do të takonte komandantin e brigadës, Adem Shehun, i cili kish ardhur nga Tirana. Sa u pezmatua që nuk e gjeti në shtab dhe shkoi në atë jetë me të vetmin merak. Në shtabin e brigadës gjeti vetëm shefin e sigurimit të komandës dhe shtabit, Salih Salihun. Komadant Ademi kish shkuar në aksion në drejtim të Vitisë.
18 prill 1999. Armiku sulmoi me forca të shumta në të tre drejtimet nga parashikohej. Ai u prit me armë. Në Dyz kish mbi 10 mijë banorë të ardhur nga Besjana. U dha urdhër që popullsia të ecte në drejtim të Stallovës. Kollona e refugjatëve ecte shumë ngadalë, por përparimi i policisë dhe ushtrisë serbe ishte i shpejtë. Komandant Mustafa luftonte sa në një drejtim në tjetrin. Sa po vinte dhe fronti i luftës zgjerohej. Pranë kish vetëm vëllain e tij, Ibushin. “Ibush! I thuaj popullsisë të lerë në rrugë traktorët dhe makinat, në mënyrë të atillë që të mos kalojnë as tanket e armikut as makinat, me qëllim që ta vonojmë sa më shumë përparimin e tij. Ti do të mbrosh krahun e djathtë të tërheqjes së popullit, duke mbajtur nën kontroll përparimin e ushtrisë serbë që afrohet nga Bungu i Dyzit për në Koliq, ndërsa Kryqin e Sokaqeve në lagjen e Goxhufëve do ta mbaj vet. Kujdesu për popullin dhe veten. Nga krahu im mos kij dert, nuk i lejoj unë shkitë të të marrin krahët”. “Si urdhëron, zoti Komandant!”, iu përgjigj Ibushi, duke marrë qëndrim gatitu para tij për herë të parë. Nuk e dinte se ai do të ishte edhe takimi edhe drejtqëndrimi i fundit para Mustafës së gjallë. Tërë jetën Ibushi do t’i qëndroi gatitu vëllait të tij , komandantit të tij, Mustafës, por tashti para lapidarit dhe para strehëzës së përjetëshme të tij, ku i bën hije Flamuri Kombëtar dhe shokët e tij duke e nderuar.
Mustafa pasi orientoi popullsinë që ishte te Kryqi se si dhe nga të shkonin në këmbë, vet pasi u përplas me zjarr me policinë që mbriti te kryqi nga drejtimi i lagjes së Retkocerëve, ngjitet me vrap kodrës për të zënë pozicionin Te qershitë, nga ku e kishte më mirë nën kontroll armikun. Populli tërhiqej, Mustafa luftonte. Ushtria dhe policia serbe ishin ndalur te Kryqi i Sokaqeve. Duhej të vinte topi vetëlëvizës i blinduar kundrajror me katër tyta, “Praga” sikundër quhej, që ushtria serbë të fitonte dyluftimin me Mustafë Llapashticën, i cili e lau tokën e Kosovës me gjak dhe armikun e mbajti në vend derisa popullsia mundi të shpëtonte nga kthetrat e armikut. E merr vesh lajmin i vëllai në Zvicër, Naseri, dhe niset për në Kosovë. E përplasin makinën e tij dhe nuk dihet se kush u ndesh me të. Bie heroikisht edhe ai. Bien tre vëllezër për një muaj.
Edhe sot e gjithë ditën, trupi i Heroit, Dëshmorit të Kombit, Mustafë Llapashtica, prehet te vorrezat e fshatit të tij.(D. G)

Kontrolloni gjithashtu

Fazli Haxhi Jakupi (29.12.1971 - 23.5.1999)

Fazli Haxhi Jakupi (29.12.1971 – 23.5.1999)

Njëri ndër bijtë e Drenicës, që iu përgjigj zërit të atdheut që në orët e ...