Brickos

Rasim Misin Sopi (10.5.1957 - 13.4.1999)

Rasim Misin Sopi (10.5.1957 – 13.4.1999)

Rasim Sopi u lind më 10 maj 1957 në Llapushnik të Drenasit nga prindërit Misin dhe Habibe Morina – Sopi, të cilët nga martesa e tyre sollën në jetë dhjetë fëmijë: gjashtë djem dhe katër vajza. Rasimi ishte fëmija i parë i tyre. Shkollën fillore e kreu në Llapushnik. Meqë, gjendja ekonomike e kësaj familjeje të madhe ishte mjaft e rëndë, Rasimi nuk pati mundësi ta vazhdojë shkollimin e mesëm. Prandaj që në moshë të njomë u detyrua të marrë rrugën e mërgimit, i shtyrë të punojë punë mjaft të rënda për të siguruar kafshatën e gojës për vete dhe familjen. Fillimisht, vendoset në Rijekë të Kroacisë, ku kishte rastin edhe të kontaktojë me hallexhinj të tjerë bashkëvendas, por edhe me qytetarë të ndryshëm kroatë, të cilët nuk ishin të kënaqur me pozitën e tyre në Jugosllavinë e dominuar nga serbët. Në vitin 1981 u zhvilluan demonstratat gjithëpopullore në Kosovë për avansimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në federatën jugosllave, si hap i parë drejt shkëputjes dhe pavarësimit të saj. Regjimi ndërmerr masa drastike ndaj organizatorëve, udhëheqësve dhe pjesëmarrësve të tjerë të demonstratave për Republikën e Kosovës. Nga organet e pushtetit dhe sigurimit të shtetit jugosllav filluan vrasjet, burgosjet, përndjekjet dhe diferencimet në shkallë të gjerë. Rasimi dhe familja e tij, duke mos u trembur dhe luhatur nga propaganda serbe, dalin haptas në mbështetje të kërkesave gjithëpopullore. Në këtë vit arrestohen Qerkin Sopi, Nuhi Sopi dhe Ismet Sopi, keshërinj të Rasimit, të cilët u dënuan me gjithsej 29 vjet burg. Në mbledhjen e banorëve të fshatit të inicuar nga aktivistë të strukturave të atëhershme të pushtetit ishte kërkuar diferencimi dhe leçitja e familjeve të të burgosurve. Rasimi dhe familja e tij këtë nuk e kishte bërë, përkundrazi u solidarizuan me të afërmit e të arrestuarve, duke i gjykuar masat që ndërmirreshin ndaj atdhetarëve.

Nërkaq, me fillimin e protestave masive në vitin 1989 kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, Rasimi kthehet në vendlindje dhe merr pjesë aktive në tubimt protestuese.

Në vitin 1992, Rasimi së bashku me familjen e tij të ngushtë arrin të vendoset në Suedi, ku qëndron 15 muaj. Meqenëse kishte lidhje miqësore me Gecajt e Llaushës së Skënderajt, Rasimi që në vitin 1996 së bashku me grupin e bashkëveprimtarëve nga Llausha, në fshehtësi të plotë mirret me sigurimin e armëve për njësitet e armatosuara, që në një të ardhme të afërt do të shndërrohej në Ushtri Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Pas betejës së Çirezit-Likoshanit, kontaktet e tij me këtë grup veprimtarësh intensifikohen. Ndërkaq, me formimin e njësiteve ushtarake ka kryer detyra të rëndësishme në Llapushnik dhe Negroc, përkatësisht në njësitin “ Pëllumbi” dhe “Çeliku”. Përveç detyrave ushtarake, angazhohet edhe në strehimin e popullatës civile dhe sigurimin e ushqimit për të. Duke qenë në lëvizje të përhershme, sa në një zone, sa në tjetrën, jo rrallë u është ekspozuar rreziqeve prej forcave të okupatorit serb.

Pas fillimit të bombardimeve të Aleancës Veriatlantike kundër arsenalit luftarak të forcave ushtarake-policore dhe paramilitare serbe, ekspeditat e armikut intensi- fikuan masakrat në terren ndaj popullatës civile. Informacionet nga zonat e ndryshme ishin rrënqethëse. Me qindra e mijëra civilë të vrarë dhe të masakruar, gra, fëmijë dhe pleq të dëbuar. Dëshmorin e kombit Rasim Sopi ky fakt e shqetësonte tejmase, andaj angazhohej kudo në terren që të rënëve t’ua gjente një vend ku mund të preheshin duke mos i lënë kufomat mbi dhe, kurse për të gjallët t’u sigurojë mbijetesën, aq sa mund të bëhej kjo në rrethanat e krijuara.

Më 13 prill 1999, Rasimi ishte rrethuar nga forcat serbe, të cilat kishin ndërmarrë njëren ndër ofensivat më të ashpra ndaj pozicioneve të UÇK-së dhe popullatës civile. Në fshatin Nënkala (ish –Vuçak) Rasimi bie së bashku me të vëllain, Elezin, me dy miqtë e tij nga Negroci si dhe shumë civilë të strehuar në mallet dhe luginat e kësaj ane.

Përkrah Rasimit, edhe vëllai tjetër I tij, Jahiri ka qenë ushtar i dalluar i UÇK-së deri në fund të luftës çlirimtare.

Dëshmori i kombit Rasim Sopi pas vetes ka lënë bashkëshorten Razën, djemtë Jetonin e Fatosin, si dhe vajzën Teutën. Trupi i tij prehet në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve dhe martirëve të lirisë në hyrje të fshatit Negroc.

Pas luftës, Minstria e Mbrojtjes së Kosovës i ka ndarë familjes së dëshmorit mirënjohje për kontributin e dhënë në çlirimin e atdheut. Mirënjohje, familjes së dëshmorit kanë ndarë edhe Shoqatat e dala nga lufta dhe Komuna e Skënderajt. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …