Ushtari, Rexho Idrizovski nga Manastiri, shtrin për tokë serbin shumadinas, Mihajlo, që konsiderohej më i fuqishmi në Garnizon

Ushtari, Rexho Idrizovski nga Manastiri, shtrin për tokë serbin shumadinas, Mihajlo, që konsiderohej më i fuqishmi në Garnizon

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

(Ahmet Qeriqi: Fragment nga romani në  dorëshkrim, “Vegimtari”)

  Në orët e pushimit të pas ditës, shumica e ushtarëve nuk binin për të fjetur, por dilnin  në fushën e sportit. Luanin futboll, argëtoheshin, rrëfenin barcoleta, sfidonin njëri tjetrin në disiplina të ndryshme sportive, sidomos në mundje.

Ushtari, Rexhë Idrizovski nga një fshat i Manastirit në Maqedoni,  ishte paraqitja më e çuditshme në Garnizonin e Krizhevskit, në Kroaci. Ai besonte fallin, parashikimin, sehiret, mbante hajmeli. Një ditë papritmas kishte rruar kokën me zhiletë, pastaj  mustaqet dhe pak më vonë kishte rruar edhe vetullat.

Një fallxheshë  e fshatit  i kishte thënë se sa herë kishte pagjumësi duhet të rruante kokën bashkë me  vetullat.

Ushtarët e konsideronin të shkalluar.

Rexha ishte pehlivan, një sport shumë i preferuar në atë kohë.

Ai, përveç në raste të veçanta, nuk e godiste kundërshtarin, por e shtrinte përdhe në shpinë dhe e zvarriste për tokë, derisa kundërshtari të pranonte publikisht  se ishte dorëzuar.

   Një ditë derisa ushtarët qëndronin në rresht, Rexhon e përbuz ushtari shumadinas, të cilin e quanin, Mihajlo. Ai ishte shumë i zhvilluar fizikisht, por nuk pranonte të dilte në mundje me Metë Ademin, ushtarin shqiptar nga Shkupi që ishte më i fuqishmi në  krejt Kazermën

  -E sheh si je bërë, pa vetulla, dukesh tamam si gorillë, i drejtohet Rexhës një ushtar.

  -Jo si gorillë, por tamam si shiftar i vërtetë, thotë serbi Mihajlo.

  -Qetësi në rresht kishte bërtitur dhjetari kujdestar derisa përcaktonte radhët e ushtarëve që niseshin drejt kuzhinës,  për të ngrënë racionin e  drekës.

   Rexha ia kishte kthyer me një të sharë tipike serbe, në stilin “Sve po spisu”.

  -Do të shihemi pasi të hamë bukë, i thotë ushtari Mihajlo, pelivanit Rexho Idrizovski, meqë ishte fyer nga e shara.

  -Më mirë të bjen tani, para bukës, se do të të bëj ta nxjerrësh nga goja atë që do të duhej ta nxjerrje nga prapanica, -ia kthen Rexha duke e sfiduar skajshëm.

   Dhjetari kujdestar sërish kishte fishkëlluar me filikaqën e tij duke iu dhënë vërejtje ushtarëve, që të mos ziheshin në rresht, por të niseshin drejt kuzhinës sipas radhëve.

  -Do ta sh… nënën tënde tërbeshe shiftare, ia kishte kthyer Mihajlo nga radha e rreshtit përballë.

   Rexha kishte dalë nga radhët dhe  kishte sfiduar  Mihajlon për të qëruar hesapet.   Në momentin kur nuk ia kthente kundërshtarit të sharën, ai egërsohej tejmase dhe jepte të kuptonte se ishte i gatshëm për sulm. Në raste të tilla s` kishte forcë ta ndalonte. Pas tij, për ta bindur që të kthehej në radhë kishin shkuar Meta, Hima dhe Urtani. Mirëpo ai nuk dëgjonte.

  -Këtu do ta pres kaurrin dhe ta shtrij për dhe si derrin e therur!

   Mihajlo ishte futur në kuzhinë. Rexha me qëllim nuk kishte ngrënë bukë. Ishte tejet i sprovuar në jetë, sidomos në mundje dhe rrahje. Ndërkohë, pas bukës  ishin bërë përgatitjet nga të dyja palët. Në grupin ku rrinte Rexha nën trungun e madh të gështenjës shekullore, në hyrje të fushës sportive, kishin zënë vendet disa ushtarë shqiptarë, në mesin e tyre: Urtani, Meta, Nazi, Bani, por edhe disa boshnjak si Himzo, Kurtiq etj. Pa vonuar në këndin përballë ishte dukur Mihajlo shtathedhur, i pasuar nga katër shokët e tij me të cilët shoqërohej zakonisht. Trupi i tij i gjatë dy metra, shtati i hedhur dhe me kokën çuditërisht e madhel dukej tamam si Golijat, përpara trupit të hajthëm, por tërë energji dhe të shpejtë si vetëtima të Rexhë Idrizovskit. Ushtarët e të dyja palëve sipas zakonit kishin kontrolluar sfiduesit në xhepa, në mos rastësisht kishin ndonjë thikë apo ndonjë mjet tjetër.

  -Mundje apo rrahje?- kishte sfiduar Rexha kundërshtarin.

  -Edhe mundje edhe rrahje derisa të  shtrij përdhe. Vetëm kur të më thuash tri herë: “të puth në prapanicë”, atëherë të liroj, ndryshe ta marr shpirtin,- ia kthen Mihajlo.

Duelin, që po përgatitej spontanisht, jo vetëm që e lejonin eprorët kujdestarë, por kishin zënë radhën e parë për të shikuar për së afërmi spektaklin.

   Urtanit iu kishte tharë goja nga frika se mos po pësonte Rexha, sado që Meta, i pari i Garnizonit në mundje, nuk shprehte fare dilemë,  meqë ia dinte Rexhës kualitetet, zhdërvjelltësinë dhe sidomos shpejtësinë, që ishin karakteristika të veçanta të tij.

   Në çastin kur ishte dhënë sinjali për të filluar duelin, të cilin nga kureshtja po e përcillnin qindra ushtarë, Rexha i rryer në spektakle të tilla i bërtet kundërshtarit.

  -Eja të shohim kush kë po e puth në prapanicë!

   Mihajlo kishte sulmuar i pari, por Rexha me zhdërvjelltësi kishte lakuar kokën. Derisa po taktizonin, ai i futet nën kraharor dhe e tërheq nga vetja duke  e lakuar trupin sërish. Mihajlo kishte humbur drejtpeshimin dhe ishte përplasur për tokë. Rexha nuk i kishte kërcyer sipëri, por e kishte përbuzur me fjalët më të pista të mundshme, dhe kishte pritur derisa kundërshtari ishte drejtuar.

Kishte ndërruar taktikën.

Krejt kjo tregonte se ai ishte zemëruar skajshëm dhe donte ta dërrmonte kundërshtarin. Mihajlo sërish  kishte sulmuar me tërë forcën në drejtim të Rexhës, i cili edhe kësaj radhe e kishte mashtruar gjatë turrit duke mënjanuar trupin me zhdërvjelltësi. Serbi si i gjindosur sërish ishte përplasur  për tokë. Rexha kishte treguar epërsinë e fenomenale të eksitimit luftarak, me një përvojë të jashtëzakonshme. Simpatizantët e Mihajlos fishkëllonin, i jepnin kurajo atij, por edhe nga radhët e joshqiptarëve kishte shumë simpatizantë të Rexhës, të cilin e njihnin  dhe kishin përcjellë me interesim sa e sa duele të tij.

  -Bajo, përplase Bajo! – bërtisnin si të çartur simpatizuesit Mihajlos që ishte kreshpëruar si bishë e plagosur, por nuk e merrte dot veten, pas dy përplasjeve. Ai kishte humbur durimin dhe sulej furishëm. Në momentin kur serbi po bënte përpjekje për ta kapur për shtati, Rexha e kishte goditur me kokë gjoksin si të katallanit dhe Mihajlos ia kishte ndalur frymën. Kishte bërë  përpjekje  të mbahej në këmbë por nuk kishte arritur Pas pak çastesh, Rexha e godet me shqelm në kurriz dhe ai përfundimisht përplaset për tokë.

Togeri kujdestar urdhëron ushtarët t`i hedhin ujë Mihajlos dhe e shpall të mbaruar duelin. Pa vonuar, nëpër tollovinë që ishte krijuar, disa ushtarë e kapin trupin e bëshëm të Mihajlos dhe e nisin në drejtim të ambulancës. Rreth Rexhës ishin tubuar jo vetëm shqiptarët por edhe simpatizantët e tij. Mundja kishte qenë fer. Rexha nuk kishte marrë asnjë goditje, madje asnjë gërvishtje.

  -Ke qenë i mrekullueshëm, i thotë Urtani.

  -Jo edhe aq, ndërhyn Meta dhe vazhdon. Kundërshtari kishte forcë por nuk dinte kurrfarë teknike të rrahjes as të mundjes. Ke pasur fat, sepse vetëm njëherë të kishte goditur, do ta kishte ndalur frymën.

  -Ama ç` të goditur i ke dhënë me kokë, or vëlla he të lumtë! të lumtë po ç`ia ke punuar, uronte Nazi i ngazëlluar tejmase.

  -Të shkojmë në ambulancë dhe ta shohim, sepse kështu e do rendi, propozon Meta.

  -Në asnjë mënyrë, thotë Nazi i cili e kishte përcjellë duelin me frikë të jashtëzakonshme. Ai kishte një hasmëri të vjetër me Mihajlon, dhe iu kishte bërë zemra mal nga gëzimi.

  -S` ka gjë të keqe, ai është i mundur dhe ne tregohemi fer, thotë Rexha, pastaj…

  -Bëni si të doni, unë për veten time nuk vij edhe po ta lëshojë shpirti,- thotë Nazi duke u larguar me zemërim nga shokët.

  -Mund ta kem goditur keq dhe me pasoja, më mirë është të shkojmë, sepse kurrë nuk dihet,- insiston Rexha, i cili kishte një përvojë të veçantë në artin e tij të luftës.

  Pas pak çastesh, Rexha, Meta dhe Urtani kishin shkuar në ambulancë. Togeri kujdestar, një serb nga Nishi, urdhëron që të largohen.

  -Rrahja ishte fer shoku toger. Nuk erdhëm për të kërkuar falje, por duam të dimë si është Mihajlo me shëndet? -pyet Meta.

  -Mirë është, ka shpëtuar, thotë ai prerë, por nuk e shikonte me sy asnjërin. Shihej se ishte zemëruar. Tekefundit ai e kishte përcjellë ndeshjen, por nuk e përmbante dot urrejtjen, sepse një shqiptar që nuk ta mbushte syrin kishte mbytur për pak serbin, që konsiderohej  më i fuqishmi në kazermë.

Kontrolloni gjithashtu

Mursel Sopi: 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve

Maji ju bashkoi Nga ana e anes Si zjarre si yje Ne gjirin e nenes …