Xhafer Isuf Haskaj (4.5.1960 - 12.4.1999)

Xhafer Isuf Haskaj (4.5.1960 – 12.4.1999)

Isuf Haskaj, nga fshati Cerrcë i Burimit (ish-Istog), një burrë i fortë i traditës, edhe pse me mërzitë e njëpasnjëshme që i kishin rënë mbi kokë që nga lufta e këtej, edhe pse me peshën e rëndë të viteve dhe të dy palë jetimëve të bijëve të tij, Xhaferit e Skënderit (Xhaferi dëshmor i kombit), nuk jepet dhe nuk derdh lot kur flet dhe e kujton të birin të rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorin Xhafer Haskaj. Ai nuk ligështohet sepse përvoja jetësore e të parëve dhe e kombit të tij e ka mësuar se “disa gjëra, siç është liria, nuk fitohen lehtë e pa gjak”.

Dëshmori Xhafer Haskaj ka lindur më 1 maj 1960 në Cerrcë. Prindërit e tij, Isufi e Begia e kishin mbushur çerdhen familjare me fëmijët e tyre, që të kishin me çka të gëzoheshin. Xhaferi u rrit në mesin e vëllezërve e motrave: Skënderit, Dykës, Enverit, Zyrafetes, Mahisë, Naimit e Miradies.
Në fshatin e lindjes dhe në Burim kryen shkollën fillore, pas së cilës regjistron shkollën e mesme për kadetë në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës. Pasi i kryen dy klasë të kësaj shkolle, përjashtohet për shkak të një konflikti ndërmjet dy grupe kadetësh. Përjashtimi i tij bëhet me arsyetimin kinse për shkelje të disiplinës dhe të rendit shtëpiak në shkollë.
Pas kthimit nga Sarajeva, Xhaferi merret me punë të ndryshme të bujqësisë. Ai nuk do të qëndrojë as anash zhvillimeve kombëtare që do të ndodhin pas vitit 1981. ishte pjesëmarrës i protestave popullore të fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve 90 të shekullit të kaluar.
Ndërkohë Xhaferi martohet me të fejuarën e vet, Fatimen, të cilëve u lindin fëmijët: Iliri, Besarta dhe Fatlinda.
Lufta që po zhvillohej në Drenicë, Dukagjin e në treva të tjera të Kosovës, që prej pranverës së vitit 1998, dhe vuajtjet që po përjetonte populli shqiptar në Kosovë, nuk e lënë të qetë as Xhaferin. Ai po e përcillte me vëmendje situatën dhe në shpirtin e tij po akumulohej gjithnjë e më shumë urrejtja për pushtuesin serb. Momenti kur ai do ta zbrazte dufin e kësaj urrejtjeje mbi armikun erdhi me formimin e Brigadës 133 të UÇK-së, e cila përfshinte brenda rrezes së vet të veprimit edhe fshatin Cerrcë.
Ishte fillimi i vitit 1999, viti vendimtar për epilogun e luftës çlirimtare. Ato ditë në disa fshatra të komunës së Burimit formohen pikat ushtarake ku mobilizohen luftëtarë të rinj. Një pikë e tillë formohet edhe në lagjen e Januzajve në Lubozhdë. Tashmë Xhaferi, pasi kishte krijuar lidhjet me Ahmet Rexhaj, Blerim Rexhaj, Arben Januzaj, Xhelal Hakaj e të tjerë, përgatitet dhe fillon aktivitetin e tij në mbështetje të UÇK-së dhe të luftës çlirimtare.
Fillimi i bombardimeve të NATO-s, më 24 mars të vitit 1999, kur forcat serbe ndërmarrin fushatën e krimeve për t’i shpërngulur shqiptarët nga vatrat dhe trojet e tyre, shënon edhe datën e mobilizimit të Xhaferit në UÇK, në kuadër të Batalionit të Dytë të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”.
Më 27 mars, bashkë me popullatën e fshatit Cerrcë, edhe familja e Xhaferit u detyrua ta lë vatrën e të shpërngulet në një vend më të sigurt, për t’i shpëtuar terrorit serb. Ajo u vendos fillimisht në një zonë malore, e pastaj shkoi në fshatin Tedel (ish-Vrellë), i cili ishte nën kontrollin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke i çuar anëtarët e familjes në Tedel, në fshatin Prigodë, Xhaferi ndahet nga familja, nga prindërit, vëllezërit e motrat, nga bashkëshortja e nga fëmijët e dashur, sepse siç i kishte thënë drejtpërdrejt të atit, Isufit, vendin e kishte në radhët e luftëtarëve që po i dilnin zot Kosovës. Ai paraqitet në shtabin e Brigadës 133, në Studenicë, ku do të marrë detyra të caktuara ushtarake të cilat do t’i kryejë krah për krah me bashkëluftëtarët Feriz Blakaj (dëshmor i kombit), Bekim Vuthi (të cilin e kishte stërnip) e të tjerë.
Në javën e parë të prillit, meqenëse e kishte nënën të sëmurë, e cila pas një kohe edhe do të vdesë, ende pa përfunduar lufta, Xhaferi merr leje nga komanda që të angazhohet rreth familjes derisa ta strehojë atë në një vend ku do të mund të trajtohej edhe e ëma. Ai e sjell familjen në fshatin Dragë të Rozhajës, me qëllim që të kthehet pa vonesë në Studenicë e në Tedel ku vepronin pikat ushtarake. Sepse në ditët në vijim priteshin luftime të ashpra, meqenëse forcat e pushtuesit serb e kishin të qartë se koha po punonte kundër tyre, prandaj në luftën për jetë a vdekje, ato po përpiqeshin ta dëmtonin sa më shumë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe popullatën civile të kësaj treve.
Më 12 prill 1999, forcat serbe të pozicionuara në fshatin Lubozhdë, në Banjë e Dobrushë, si dhe ato mobile e të mekanizuara, ndërmorën një ofansivë në shkallë të gjerë nga ana e lindjes kundër pozicioneve të UÇK-së në Tedel. Tani para luftëtarëve çlirimtarë ndodhej sfida e rëndë e mbrojtjes së këtyre pozicioneve dhe e territorit të kontrolluar nga UÇK-ja. Luftimet filluan të ashpra. Granatimi me armë të rënda artilerike i pozicioneve të UÇK-së ishte i pandërprerë. Pas breshërisë së granatimeve pritej invazioni i këmbësorisë armike. Çlirimtarët e UÇK-së mbrojnë me stoicizëm, me armët në dispozicion, pozicionet e tyre, në përpjekje për të pamundësuar depërtimin e forcave serbe. Pozicioneve në Tedel u shkojnë përforcime ushtarët e pikave të tjera të zonës së Brigadës 133, e sidomos ato të fshatrave të afërta: Studenicë, Kaliçan, Alba e Madhe (ish-Jabllanicë), Radafc e të tjera. Pikërisht në këtë ditë beteje, Xhaferi ishte kthyer nga pasbjeshka dhe pas takimit me disa prej bashkëluftëtarëve, sakaq ishte nisur për t’u shkuar në përforcim pozicioneve të sulmuara. Rreth mesditës arrin të hyjë në fshatin Tedel, mirëpo para se te arrijë në cak, misionin e tij çlirimtar do ta ndërprejnë copat e zjarrta të një granate të armikut. Ai bie në fshatin Tedel.
Vetëm pak orë më pas, në altarin e atdheut, në luftime kundër forcave pushtuese serbe bien edhe: Xhafer Mehmetaj, Ismat Bicaj, Smajl Fetahaj, Izet Shatri, Nezir Mujaj, Muharrem Vuthaj, Bujar Visoqi, Skënder Maraj e Abedin Dërvishaj. Të nesërmen, në përballje me forcat serbe bien edhe Nexhmedin Hakaj, Sami Gashi, Qazim Hakaj dhe Sylë Çeta.
Trupin e dëshmorit Xhafer Haskaj e vorrosën te vendi i rënies, bashkëluftëtarët Feriz Blakaj (edhe Ferizi do të bie dëshmor i lirisë vetëm disa javë më vonë, në fshatin Lubozhdë) dhe Bekim Vuthj. Dy vjet më vonë u bë rivorrimi i tij në fshatin e lindjes, në Cerrcë. Në përvjetorët e rënies, varrin e dëshmorit Xhafer Haskaj e vizitojnë familjarët e tij, fëmijët Iliri, Besarta dhe Fatlinda, si dhe të gjithë ata që çmojnë sakrificën sublime për lirinë e Kosovës. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …