Xheladin Beqiri: Në festivalin “Jehona e Vjosës” në Memaliaj u bashkuan zërat e vallet që nga Labëria e deri në Karadak

Etnomuzikologu dhe studiuesi i folklorit tepelenasi, Spiro Shituni në librin e tij “Polifonia labe” ndër të tjera thotë: “Arti, kultura, folklori dhe në veçanti kënga labe  polifonike, kanë qenë dhe janë për njerëzit si një gjymtyrë, prandaj s’ ka si të mos kuptohet sa të rëndësishme janë gjymtyrët për njeriun…”

Prandaj, unë do të përulem ndërsa nga ju dua një duartrokitje të fortë për këtë spektakël folklorik që ndoqëm për dy net të shkëlqyera.

Duartrokitjet thuaja shkojnë për organizatorët e festivalit “Jehona e Vjosës”, për drejtuesin artistik, të këtij festivali që do te kishin  zili edhe shumë të tjerë, siç janë: z. Viktor Aliu dhe znj. Enkeleida Fejzo që me dijet dhe aftësitë, mënyrën e organizimit, vlerat intelektuale, përkushtimin dhe përpjekjet, dëshirën dhe dashurinë, njohjen dhe këmbënguljen për artin dhe folklorin, marrin përsipër të tilla evenimente kulturore të nivelit  kaq të lartë.

  Ata kanë bërë që festivali “Jehona e Vjosës” të kthehet në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të jugut të Shqipërisë. Të themi me plot gojën labçe:  “Hallall u qoftë!”

 Duartrokitja tuaja shkojnë për Bashkinë e Memaliaj dhe stafin e saj, konkretisht për kryetarin Albert Malaj dhe gjithë Këshillin Bashkiak, jo vetëm si mbështetësi financiar, por edhe për atë që të gjithë së bashku dhanë ndihmesën dhe u kujdesën për mirëvajtjen e këtij festivali të bukur mbarëkombëtar, në këtë shesh që do të kishin zili edhe plot qytete të tjera.

Këtë vit, festivalin “Jehona e Vjosës,” e nderon grupi “Malli i Mërgimtarit” që jeton në Patra, të Greqisë, ansambli  “Trojet tona” nga Ulqini, natyrshëm edhe ansambli  “Shote Galica” nga  Drenasi i  Kosovës. Gjithashtu na nderoi edhe magjia e grupeve  të zgjedhura: si ansambli “Dardania” i Tropojës,  zërat e përjetshëm të “Bejkës së bardhë”, “Kaonët”  e Delvinës, “Grupi i djemve të Bogonicës”, sazet e Kolonjës dhe ato të Përmetit, grupet  e Librazhdit dhe e Gramshit si dhe grupi i suksesshëm nga treva e Dukagjinit: “Tre tinguj, një melodi”.

Pjesë e kësaj feste ishte, ansambli artistik “Kaltërsia”, grupet polifonike, “Thesaret labe” dhe grupet labe: të Romës, “Djemt e Vlorës”, “Gjergj Araniti”, grupi i Kolonjës, grupi nga Memaliaj dhe   “Epirotët”  e Tepelenës. Gjithashtu kishte edhe grupe e përshëndetëse, disa artistë dhe grupe të tjera…

Duartrokitja tuaja  shkojnë për 24 grupet dhe shoqëritë kulturore, të cilat për dy net, shpalosën në këtë skenë, këngët dhe vallet tona plot ritëm energji, disiplinë dhe profesionalizëm. Kështu natyrshëm pati këngë dhe valle burimore, thellësisht folklorike, të mbështetura në traditën, tabanin dhe trashëgiminë popullore.

 Kjo ngjarje, kjo shfaqje, me pjesëmarrje mbarëkombëtare, me grupe e valle, me formacione muzikore të nivelit cilësor, me zëra dhe vokale, melodi dhe ritme të traditës sonë shqiptare, na dhanë një kënaqësi e veçantë, meqë këtu në këtë skenë u bë një përurim dhe një paraqitje profesionale.

Megjithëkëtë, në skenë pati edhe grupe që iu mungonte disiplina, rreshtimi, mënyra e futjes në skenë, pati disa veshje të ndryshme, disa të njëjta, si stile kostumesh. Gjithashtu pati edhe asamble që e tejkaluan dyfishin e minutave  të caktuar, prandaj  edhe u hoqën, u përjashtuan nga konkurrimi.

  Në këtë skenë u ngjitën këngëtarë që kanë përvojë, prej shumë vitesh të vjetër, por edhe  të rinj, zëra dhe melodi, kënge të dëgjuara dhe  këngë të reja.

 Pati gjithashtu edhe këngëtarë  me repertor të shumtë këngësh që i këndojnë me zotësi duke e pasur vendosmëri në skenë, duke ruajtur notën dhe duke menaxhuar  emocionet, por dhe këngëtarë të rinj plot energji me zëra që çajnë qiellin, më pak përvojë skenike, por me siguri, me dëshirë dhe dashuri për të vazhduar në rrugën e artit popullor. Pati këngë që u intonuan në lartësinë e këngës së më hershme dhe produkti qe jo i mirë, duke e çarë ison dhe duke pasur mospërputhje, mosharmoni  me marrësit.

      Këtu u kënduan, këngë polifonike, duke pasur marrës të zotë  dhe me zë të fortë burrërorë,  por dhe marrës zotërues të melodisë, të qetë dhe të mirëfilltë.

Po kështu pati kthyes me grykë mjaltë, si violinë dirigjuese, që e drejtonin mirë elementët e këngës, që e marrin në dorë këngën, por dhe kthyes  jo dhe aq të zotë, kthyes që nuk i përshtaten stilit të këngës, qe nuk u ngjizën me marrësin dhe hedhësin e duke e zvarritur këngën…

Këtu, pati edhe hedhes  me zë hyjnor, të intonuar shumë mirë, me timbër e tone ritmike të larta, por dhe hedhje të regjistrit të poshtëm, melodikë, te shtruar nga ata të tabanit. Pati që e ruajtën cilësinë deri në fund, por pati edhe të tillë që me ngritjen e këngës nuk qenë në lartësinë tonike.

Pati iso të forta, harmonike siç thotë populli: “Zile Janine”.  Pati të atillë jo ashtu siç do të duhej, iso dhe këngë që e shpërfillën  tonin e duhur apo nuk u sinkronizuan elementët, të cilët sigurisht e kanë kuptuar edhe  vetë se duhet të korrigjohen.

Pati, gjithashtu, valle të niveli të lartë artistik që natyrshëm kanë një art më vete, plot ritëm siguri, disiplinë, harmoni në lëvizje në sinkron dhe më e rëndësishmja valle të karakterit shqiptar.

Kulmi i harmonisë ishin tre tingujt.

 Ata përveç sinkronit jetik  trinjakë vëllazëror, vijnë vërtet  me melodi dhe këngë unike trinjake. Të gjitha grupet apo vallet rendin drejt harmonisë vëllazërore  dhe bëhen për më shumë si vëllezër trinjakë, ndaj u themi “Ju lumtë!”

 Prandaj një paraqitje e tillë e nivelit të lartë muzikor e artistik ia  vlen të bëhet e përvitshme, më e madhe, për më shumë se dy ditë.

Në këtë shesh të këtij qyteti që ka nxjerrë me dhjetëra artistë, këngëtarë e humoristë, aktorë dhe sportistë, që mbajnë dhe luajnë role të rëndësishme në artin dhe kulturën popullore,  janë padyshim krenaria e këtij qyteti.

Në këtë shesh u fol shqip që nga Delvina në Drenas, nga Vlora në Ulqin, së bashku të 24  grupet dhe ansamblet folklorike konkurruese dhe disa si përshëndetëse.

  Në këtë shesh u shpalos epika e këngës labe deri tek ritmi i valleve të Kosovës. Këtu u dëgjua isoja si jehonë e kanioneve (gryka, humnera shkëmbore të lumit a lumenjve)  të Kurveleshit deri tek lahuta e çiftelia, si gjëmime  malesh  të Sharrit dhe të Karadakut . Këtu u përqafuan plisi me qylafin, fustanella me xhubletën, këtu u fol për dy net Ilirisht që nga Bistrica dhe Vjosa, nga Semani e Shkumbini, tek Drini e Valbona dhe te të  gjitha trevat shqiptare, prandaj për këtë meritë përbashkuese të trojeve tona e ka arritur  vetëm arti popullor.

Duartrokitja tuaja shkojnë për këtë skenë të ndërtuar bukur, plot hijeshi, në mes të qytetit, në krah të monumentit të minatorit, krenarisë, së nëntokës dhe mbi tokës  memaliote. Vlen për ta theksuar se skena, skenografia dhe ndriçimi profesional i mjaftueshëm e me një foni të dëgjueshme mirë, janë po ashtu për lëvdatë.

Po theksoj edhe një detaj se me dy moderatorë  të zgjedhur, znj Migena Kraha dhe z.Ermir Hoxha me zërin e tyre të fortë, te rrjedhshëm, plot harmoni kumbuese dhe me ligjëratë artistike, pata kënaqësi që bashkëveprova.

Me mikrofonat cilësorë, ku kënga sidomos ajo polifonike që kërkon një amplifikim ndryshe, ishte e përshtatur dhe me parametrat që ajo të dëgjohet mirë, pra kjo qe harmonike dhe  plot gjallëri.

Në këtë moment vlen të përmendet një defekt  i grupeve duke mos u përshtatur me mikrofonat, duke ndenjur larg, indiferent ose edhe për ato  mangësi kur këngëtarët e  kthejnë kokën herë andej e herë këtej.    Mënyra se si rri dhe trajton largësinë apo afërsinë nga mikrofoni është suksese ose jo i këngës, sidomos i këngës polifonike.

     Duartrokitjet tuaja shkojnë për  kostumet, shumëngjyrshme të shumëllojshme, të mbështetura në traditën tonë popullore, të çdo krahine e çdo zone. Ato kanë ruajtur formën, ngjyrat, stilin e qepjes, ornamentet dhe dekoret e gjenezës popullore të çdo krahine. Jo të gjitha grupet janë të pajisur me kostume, pati mangësi në elementët dhe dukshmërinë e tyre, por ky është një problem që po na përcjell prej disa dekadave, sepse grupet nuk kanë mbështetje financiare.

  Fjalë të mira meritojnë zejtarët e kostum-grafisë që nuk mungojnë.  Ata qepin e qëndisin shumë mirë kostumet e  zonave duke ruajtur  traditën e zanafillën. Asnjë kostum nuk i ngjan tjetrit dhe kjo tregon dhe origjinalitetin dhe larminë e veshjeve tona popullore.

Duartrokitjet shkojnë për arsenalin poetik të poetëve dhe rapsodëve,  tekstet dhe vargjet që kanë këngët,  por edhe vallet dhe rapsoditë, të cilat janë nga më të larmishmet.

Aty kishte këngë me tekste lirike, kënge me tekste epike, këngë trimërie, kënge satirike dhe humoristike  si dhe këngë me tekst dedikimi. Nuk pati shumë këngë me tekste të reja, por këngë të ri- sjella e të kënduara në vite. Nuk kishte as tekste të reja me melodi të vjetra dhe as melodi të reja me tekste të reja.

Megjithatë të gjitha janë të vlerësuara, duke ngjallur emocione, gjë që tregojnë ngjarje apo dukuri shoqërore.

 Duartrokitjet tuaja shkojnë edhe për jurinë profesionale të përbërë nga Xheladin  Beqiri, “Mjeshtër i Madh” poet, këngëtar, mësues dhe njohës i folklorit; për Feti Zenelin, intelektual i shquar i zonës, poet, gazetar dhe publicist, njëkohësisht autor i disa veprave letrare; po ashtu edhe për Bekim Vishajn historian, akademik, drejtor i muzeut të Deçanit, si dhe njohës i mirë i folklorit.

    Së fundmi vlen t’i shfaqim edhe dy këshilla, dy propozime.

E them që në fillim juria apo juritë nuk kanë këllqe të vlerësojnë floririn, sepse nuk vlerësohet floriri, siç është arti ynë popullor, por ai vetëm  krahasohet, nga flori 24 karat, në flori 18 karat apo 14 karat…

Juria krahasoi sot në këtë skenë, në këtë paraqitje grupe folklorike dhe  valle të mira, por edhe grupe apo valle jo aq të mira, pra duke i veçuar ato më të mirat.

Por edhe në festivalet lokale apo ndodhitë e tjera artistike duhet të bëhen  të tilla realitete, në qytete që mungojnë organizimi i mirëfilltë shoqëror dhe aktivitetet, me qëllim që të gjallërohen sadopak zhvillimet e përgjithshme, megjithëkëtë nuk duhet të bëhen veprimtari të tilla në njëjtën datë, sepse bie shikueshmëria.

 Po kështu mund të thuhet se të tilla festivale janë e vetmja skenë ku këngët, vallet dhe solistët ballafaqohen me emocionin, por edhe me vetëdijen se duhet të përmirësohen nivelet muzikore e artistike.

Shumë faleminderit organizatorëve dhe aktivistëve në Memaliaj! Këtu shtohen edhe vlerat  me Vjosën dhe malin, me nëntokën dhe mbi tokën, me njerëzit dhe artistet, me kulturën dhe mikpritjen! Mirë u pjekshim vitin e ardhshëm!

Xheladin Beqiri

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Tahiri: LIVADHI I KOLBIBËS

    Një popull pa njohjen e historisë, origjinës dhe kulturës së vet është si një …