leoni

Ali Rakip Beqa (30.1.1973-15.1.1999)

Ali Rakip Beqa (30.1.1973-15.1.1999)

Familja Beqa e fshatit Pustenik të komunës së Kaçanikut nuk kishte trashëguar pasuri materiale, por ajo trashëgoi pasuri te madhe shpirtërore, e cila dallohej me bujarinë, krenarinë, dhe dashurinë  për atdhe. Ajo ishte bërë shembull në Kaçanik dhe rrethine, për shume breza. Edhe Aliu trashëgoi këtë pasuri shpirtërore.

Ali  lindi më 30 janar 1973. Mësimet e para i mori në shkollën fillore “Naim Frashri, “në fshatin Kotline.   Pas kryerjes së shkollës fillore, ai u regjistrua ne gjimnazin “ Voskopoja” të Kaçanikut. Me gjithë dashurinë e madhe për shkollim dhe dije, për shkak të kushteve të vështira ekonomike Aliu nuk arriti të vazhdojë shkollimin. për t’i dalë në ndihmë familjes, merr rrugën e mërgimit. Me 1999, shkon në qytetin e Vukovarit –Kroaci , ku për një vit kryen punë të rënda ndërtimtarie. Gjatë kësaj kohe shpirtin atdhetar të Aliut e mundonte fakti se mbi kurrizin e rinisë e të mbarë popullit shqiptar në Kosovë po rëndonte pesha e robërisë serbe.

Pas një vit qëndrimi në Vukovar,  u kthye ne vendlindje për tu çmallur me familjen. Organet e pushtetit okupator, me të kuptuar kthimin e Aliut, i dërgojnë një ftesën për shërbimin ushtarake. Ai urrente armatën serbe, të cilën e quante armatë vrastare, prandaj detyrohet   prapë të marr rrugën e mërgimit dhe shkon në Sarajevë. Së shpejti e kuptoi se lufta ishte në prag andaj kthehet në Kosovë. Ndërkohë shtëpinë e tij e kishte kontrolluar shpesh policia serbe, e cila kërconte babanë dhe familjen e Aliut, në mënyrë që  ai t’ i përgjigjet ftesës për shërbim ushtarakë. Në muajin prill të vitit 1992, Aliu shkon në Shkup, te halla e vet. Për të mos rrezikuar këtë familje, pas pak Aliu shkon në Izmir të Turqisë, ku qëndroi deri më 1995.

 Pas dy vjet qëndrimi në Izmir, Aliut i jepet mundësia për të fituar nënshtetësia turke. Pas konsultimeve të autoriteteve vendore, në ambasadën jugosllave, në Ankara, jepet urdhri për arrestimin e Aliut, për shkake të dezertimit të tij nga ushtria jugosllave. Edhe në këtë rast, falë gjeturisë  së tij, shpëton arrestimit, por vazhdon të jetojë në ilegalitet. Meqenëse situata në Kosovë po shkonte drejt luftës së pashmangshme, Aliu nuk mund të qëndronte edhe me tutje larg atdheut, prandaj u kthye ilegalisht në vendlindje.

Pak ditë pas kthimit nga mërgimi, në mëngjesin e datës 5 shkurt të vitit 1996, një numër i madh policëve bastisi familjen e tij, me pretekst të kërkimit të armëve. Ne këtë rast u maltretua babai i Aliu, Rakipi.

Në pranverën e vitit 1997, Aliu martohet me Indira Topojanin, bijë e një familje atdhetare e Kaçanikut. Me rastin e paraqitjes publike të UKÇ-së në Drenicë, në vitin 1997, Aliu preokupohet rreth çështjes së angazhimit të tij në radhët e kësaj ushtrie. Në mars të viti 1998, pasi tashëm kishte shpërthyer lufta e armatosur, ai së bashku me një grup shokësh, shkon në Shqipëri, për tu stërvitur e për tu pajisur me armatim. Para nisjes ai i drejtohet vëllait, Selajdinit, se më shumë se fëmijën dhe familjen, e donte lirinë e Kosovës.

Pas arritjes në Shqipëri, vendoset në qendrën stërvitore, në laprat të Tiranës. Në muajin qershor të vitit 1998 kthehet në Kosovë. Pastaj në Drenicë dhe së fundi në Zonën Operative të Neredimes, në njësitë ushtarake qe vepronin në fshatrat Petrovë  Reqak. Aliu, i njohur me emrin e luftës “ Xhema,’’ u kalit në beteja të luftës çlirimtare. Ishte i dashur e i afërt me bashkëluftëtaret.

Në korrik të vitit 1998, në luftimet e zhvilluara në Malishevë, Aliu u plagos. Ende pa u shëruar mirë, kthehet te bashkëluftëtarët, në Reçak. Asokohe ai ishte zëvendës-komandant i kompanisë që vepronte në këtë fshat. Herën e dytë, Aliu u plagos në Kodrën e Reçakut, kur me te kthyer nga një detyrë ushtarake, bie në prit së bashku me dy ushtarë. Në këtë prit u plagos edhe ushtari Mehmet Agushi.

 Më 15 janar 1999, kur forcat e pushtuesit e sulmuan Reçakun, Aliu rezistoi nga pozicioni te Bunkeri në krye të fshatit. Pas një luftimi të rreptë me forcat serbe, atë ditë në altarin e atdheut ranë. Ali  Beqa,  Ismail  Luma, Sadik Mujota, Mehmet Mustafa, Nazmi Kokollari, Skënder Qarri, Enver Rashiti, Shaqir Berisha dhe Kadri  Syla.

Gjatë luftës, Aliu ka mbajtur ditar me shënime për ngjarjet e zhvilluara në terren, ku ka shënuar edhe pikëpamjet e veta rreth luftës. Përveç ditarit, gjatë kësaj kohe ai shkruante edhe poezi. Në një pjesë të ditarit të tij, pos tjerash, Aliu thekson:

…Sado të arrish në jetë, është barazi me zero, nëse nuk i përgjigjesh thirrjes së atdheut, në luftën për liri. Ushtar i  UÇK-së jam bërë me 10.7. 1998, e që me gjithë forcën time do të shërbej deri në çlirimin e plotë të atdheut.

Në luftë e mbaja nofkën “Xhema ,” Xhemajl  Kaçaniku”. Pas hyrjes ne Kosovë, u vendosa në Drenicë, në Dragobil të Malishevës, të Malishevë e së fundi në Reçak, në Zonën Operative të Neredimës. Kam shërbye në Brigadën 161, zëvendëskomandant  i kësaj brigade për rrethin e Reçakut, me krenari e mbanë emblemën e UÇK-së e me besnikëri i shërbejë ushtrisë dhe i kryej detyrat dhe urdhrat që vijnë nga Shtabi i Përgjithshëm i Zonës Operativa të Neredimes. Populli shqiptar vetëm me Ushtrinë Çlirimtare  të Kosovës, lirinë do ta ketë me afër. Dita më e lumtur në jetën time, ishte dita kur vesha uniformen e UÇK-së. Gjaku im i qoftë falë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. E ndjej vetën krenar që i shërbej Atdheut tim…

Ali Beqa  ka lënë prindërit, Rakipin dhe Fatimen, vëllezërit: Qahilin, Nuriun, Selajdinin, Bekimin dhe motrën Sheride, bashkëshorten Indiren dhe vajzën e vogël, Dafinën.

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …