Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: A mund të thuhet për liberalizimin ajo që thoshte Marksi për religjionin: “Feja është opium për popullin”

Është tejet i panatyrshëm entuziazmi i pushtetarëve dhe qytetarëve për vendimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Për një moment ky lajm jehoi anekënd vendit. Mediet, edicionet e lajmeve, adresat elektronike publike e private, u mbushën me urimet e shumta që të përkujtojnë urimet megalomane dhe të zëshme që bëhen nën shoqërimin e muzikës tallava me rastin e ndonjë synetie, marrjen e lejes për vozitje, kalimin e Testit të Maturës Shtetërore e të arritura të tilla të cilat besohet se do të garantojnë jetë të dinjitetshme!!!

Kur bëhen analiza të thella e të shumanshme mbi të “mirat e jashtëzakonshme”, që do të na sjell liberalizimi, nuk ka se si të mos kujtohen thënie të filozofëve të cilët me idetë e tyre kanë ndikuar për shekuj me radhë anekënd botës. I tillë është edhe Karl Marksi. Në mesin e konstatimeve të shumta, ai kishte arritur në përfundim se religjioni është opium për popull! Ndonëse Marksit nga perspektiva e sotme kohore mund t’i bëhen vërejtje të shumta, nëse analizojmë mirë e mirë rrethanat kur ai jetoi, besoj se edhe ne do të arrinim në të njëjtin përfundim! Marksi jetoi në shekullin e 19, ( lindi më 5 maj 1818 në Trier të Gjermanisë dhe vdiq më 14 mars të vitit 1883 në Britani të Madhe ) në kohën kur pabarazia në mes të pasurve dhe varfërve po përparonte shpengueshëm drejt ekstremeve. Marksi jetoi dhe veproi në kohën kur punëtorët nuk kishin thuaja asnjë të drejtë. Ata ishin të nëpërkëmbur, të keqtrajtuar si mos më keq, pa kushte minimale për punë e me paga minimale ndonëse punonin me orar të stërzgjatur, 12, 14 e 16 orë punë në ditë! Kishte edhe raste kur punëtorët humbnin gjymtyrët dhe jetën në vendin e punës dhe kjo nuk paraqiste as edhe më të voglin problem për  punëdhënësit e tyre!!! Derisa klasa kapitaliste bënte jetë luksoze, klasa punëtore jetonte në mjerim dhe me thërmi buke!!!

Janë këto rrethanat të cilat e shtyjnë Marksin të vras mendjen se përse punëtorët dhe shtresat e varfra nuk ngritin krye por e duronin pa as më të voglin kundërshtim këtë gjendje poshtëruese dhe varfërimin që sa vinte e rritej!?

Ai kishte arritur në përfundim se feja është faktor vendimtar se pse nuk kishte rebelim kundër shtypjes dhe varfërisë së skajshme. Ishte habitur me predikimet që bënin autoritetet fetare për të ardhmen e njerëzimit në botën tjetër. Ata bindnin masat e katandisura si mos më keq se pas kësaj jete, të varfrit dhe ata që iu ishin bërë padrejtësi, do të shpërbleheshin me parajsë dhe aty do të ju kompenzoheshin shumëfish vuajtjet dhe padrejtësitë e shumta që iu kishin bërë të pasurit, e këta do të përfundonin në ferr përgjithmonë. Thënë të drejtën, edhe në Bibël është një fjali ku në mes tjerash thuhet: A mund të kaloj deveja nëpër vrimën e gjilpërës, aq i pasuri nëpër portën e parajsës! Marksi kishte konstatuar se janë këto predikime fetare që e kanë mpirë popullin dhe e kanë bërë të pandjeshëm ndaj dhimbjeve të padurueshme. Kjo e kishte habitur atë tej mase dhe nuk ka se si të mos habitet njeriu kur sheh se sa shumë vuajtje, poshtërsi dhe padrejtësi është në gjendje të duroj njeriu nëse bindet se për këto vuajtje, padrejtësi dhe poshtërsi do të shpërblehet shumëfish në botën tjetër dhe se durimi ndaj tyre është bileta për të hyrë në parajsë! Kjo e kishte shtyrë Marksin të pohonte: Feja është opium për popull!

Çuditërisht, situatë të njëjtë kemi pak a shumë edhe sot! Edhe sot anekënd Kosovës kemi kategori të shoqërisë që jetojnë si mos më keq, në varfëri ekstreme ndërsa në anën tjetër kemi milionerë e miliarderë që bëjnë jetë sheikësh! Edhe sot janë të shumtë punëtorët që punojnë në kushte të mjera, pa të drejta elementare, me orar të stërzgjatur duke mos përjashtuar edhe rastet e humbjes së gjymtyrëve në vendin e punës! Lajmet për vetëvrasjet e dhjetëra ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryefamiljarëve të shumtë për shkak të kushteve të rënda ekonomike, nuk dëgjohen nga jehona që ju bëjnë analistët dhe politikanët me nam paralajmërimeve dhe njoftimeve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës! Shekuj më parë, të varfrit mashtroheshin se do të vijë një ditë që ata do të shpërblehen shumëfish në botën tjetër për vuajtjet, padrejtësitë dhe poshtërimin që ju kanë bërë të pasurit në këtë botë dhe çuditërisht të njëjtat predikime i kemi edhe sot vetëm se me një ndryshim të vogël, në vend të parajsës Eden apo Firdevs, premtohet Bashkimi Evropian! Sot në këmbim të kësaj parajse të premtuar, qytetarët janë të gatshëm të durojnë çdo gjë vetëm e vetëm që të hapet porta e Edenit ndërsa pushtetarët që paraqiten si shërbëtor të popullit, janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka, edhe shok e tokë të Kosovës vetëm e vetëm që t’ia trasojnë rrugën për në parajsë Kosovës dhe qytetarëve të saj!

Nuk ke se si të mos habitesh edhe sot kur sheh turmat e dehura nga lajmi për vendimin e Komisionit Evropian për rekomandimin që ka bërë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Shekuj më parë, ishin predikuesit fetar që hiqeshin si pishtar të rrugës për në parajsë, sot janë politikanët dhe analistët me nam që ju mbajnë ison atyre me përulësi në pritje të ndonjë posti qeveritar duke dërdëllitur se më në fund fal vizionit të tyre dhe punës së palodhshme në shërbim të popullit, e hapën rrugën për në parajsën e shekullit 21 – Bashkimin Evropian. Nuk ke se si të mos habitesh se si nuk vrasin mendjen shumica e popullsisë se në parajsën BE as nuk mund të shkosh e as nuk mund të jetosh pa lek dhe është marrëzi të besosh se mund të shkosh si turist atje duke e ditur se ke xhepat bosh! Sipas një raporti të botuar kohë më parë nga UNDP-ja, ( United Nation Develepoment Program – Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim) , Kosova ka mbi 43 për qind të papunë; 34 për qind në varfëri me më pak se 1.42 euro në ditë, e rreth 18 për qind në varfëri të skajshme me më pak se 94 cent në ditë. Para se t’i gëzohen lajmit dhe jehonës së tij shurdhuese për rekomandimin për liberalizimin e vizave për parajsën BE, shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës është mirë të pyesin veten se kur kanë shkuar për të shijuar një drekë në Prizren, Pejë, Strugë, Ulqin, Shkup, Shkodër, Tiranë, Sarandë apo ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë? Athua përse nuk kanë shkuar, për shkak të mos liberalizimit, kohës apo lekëve!? Është marrëzi e shkuar marrëzie të gëzohesh që me  të ardhura 1 euro në ditë të besosh se mund të shkosh turist në një vend ku vetëm një pako cigare kushton afër 10 euro e të mos flasim për shpenzime të tjera. Pavarësisht kësaj, turmat brohorasin ndërsa politikanët krekosen që së shpejti qytetarët do të mund të shkojnë pa viza në Edenin BE! Zaten politikanët dhe fëmijët e nipërit e mbesat e tyre kanë të drejt pse gëzohen pasi zotërojnë kapital shumë milionësh të cilin mund ta shpenzojnë duke bërë shtatë palë qejfe nëpër parajsën BE. Nuk thuhet më kot mënyra më e mirë për të mësuar se si e ka krijuar njeriu pasurinë është të vështrosh se si po e shpenzon!

Por jo vetëm kaq. Derisa politikanët dhe pushtetarët tonë krekosen se së shpejti do të na mundësojnë të shkojmë lirshëm në parajsën BE, është mirë të na tregojnë se çfarë bënë që mijëra qytetar të Kosovës të kthehen nëpër pronat e tyre në pjesën veriore të Kosovës prej nga u dëbuan dhunshëm nga strukturat e organizuara serbe, shumë vite më parë. Para se të krekosen për liberalizim, le të trokasin në ndërgjegjen e tyre se si e kanë katandisur Kosovën ku shumica e qytetarëve po të ju ofrohet mundësia, nuk e presin as agun për të ikur nga këtu ku nuk shohin asnjë perspektivë, ku më shumë vlen libreza e partisë se sa diploma. A e vrasin ndonjëherë mendjen këta politikanët tonë e disa analistë puthadorë të tyre,  se në Kosovë nuk paraqet asnjë problem nëse ke bërë ndonjë veprim në kundërshtim me ligjin por problem është nëse ke bërë ndonjë vepër sa do qoftë të vogël e nuk ke lidhje me pushtetin!!! Për mendimin tim, kjo është për t’u turpëruar e jo për t’u krekosur. Vetëm të marrët do të gëzoheshin se po ju hapin rrugë qytetarëve të tyre për të ikur nga atdheu drejt kërkimit të një jete më të mirë në vend se ta bëjnë atdheun e tyre një vend në të cilin realizojnë ëndrrat e tyre për një jetë të dinjitetshme, të mirëqenë dhe me të ardhme të ndritshme për të gjithë, pavarësisht përkatësisë partiake. Për të mos e zgjatur më shumë, të përkujtojmë se një vit më parë, Siria dhe Kosova ishin vendet nga ku iknin më së shumti qytetarët e tyre për shkak të kushteve të këqija dhe jetës së padurueshme që ua kishin bërë ata që kishin marr besimin e qytetarëve për ta përparuar vendin e jo për ta bërë parajsë për pushtetarët e ferr për qytetarët!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …